Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal paraditen e sotme në bashkëbisedim me disa fermerë në tregun agro-ushqimor në Rrogozhinë.
Basha tha se tregtarët rrinë me orë të tëra për 10, 15, 20 mijë lekë xhiro në javë dhe jo në ditë dhe se askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy.
“Ky është realiteti, përpara kam kilometër, ndoshta kilometër e gjysëm me tezga të banorëve të zonës, të fermerëve të zonës, të cilët kanë ekspozuar prodhimet e tyre, gjysmën e tyre do ta groposin sot, sepse nuk shitet. Kjo është një gjendje katastrofale. Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë, por këtë vit me mungesën totale të subvencioneve, me mungesën totale të çdo lloj interesimi dhe paketë mbështetje situata ka kaluar atë që mund të përshkruhet si kritike”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se propaganda nuk mund ta fshehë përgjegjësinë e tij, dështimin e tij kriminal, sepse ato miliona të cilat ia ka hedhur 4-5 oligarkëve të taksave të shqiptarëve do të mjaftonin që edhe fermeri shqiptar, njësoj si fermeri i Kosovës, si fermeri i Maqedonisë së Veriut të paktën të mbante kokën mbi ujë në këto kohë të vështira.
“Kjo është një Shqipëri e robëruar nga Edi Rama me 5 oligarkë e cila vazhdon të paguajë për krimet, për hajdutërinë, për zhvatjen e kësaj shoqërie. Ndaj, shpëtimi i vetëm është një orë e më parë të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit dhe t’i japim fund kësaj të keqe dhe të kthejmë bashkë me demokracinë edhe institucionet tuaja, edhe ekonominë, edhe punësimin, edhe mbështetjen për njerëzit punëtorë.
Sot në Shqipëri nuk mbështetet punëtori, nuk mbështetet njeriu i punës, nuk mbështetet prodhimi, mbështetën kriminelët, mbështetem hajdutët, mbështetën 5 oligarkë, e gjithë Shqipëria punon për 5 oligarkë.”, deklaroi kryedemokrati.
/a.r