Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3.4 vite burg shtetasin A. Visha nga Tirana, ndaj të cilit rëndojnë akuza të rënda, nga abuzimi seksual tek armëmbajtja pa leje dhe përdorimi i dhunës fizike e psikologjike ndaj gruas dhe 5 fëmijëve të tij. Ai ka tentuar të abuzojë me vajzën 14-vjeçare po është ndaluar nga kjo e fundit. Më pas ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e tij.
Për këtë ngjarje, në shtator të 2019, A.Visha denoncohet nga i biri në polici duke e akuzuar se ka tentuar të abuzojë me motrën e tij si dhe ka dhunuar fizikisht me bishtin e sëpatës nënën e tij.
Sipas dosjes së prokurorisë së Tiranës, i biri ka rrëfyer dhunën psikologjike dhe fizike që ati ushtronte ndaj gjithë anëtarëve të familjes. Madje ai i kërcënonte ata edhe më një pistoletë me mulli që e mbante pa leje. Dhuna fizike e psikologjike e përsëritur nga ana e autorit është pranuar edhe nga bashkëshortja e tij gjatë dëshmisë në polici, duke thënë se jo vetëm ajo, por dhe 5 fëmijët dhunoheshin në mënyrë sistematike.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fund të muajit shtator 2019, por është bërë publik si rast nga Gjykata e Tiranës vetëm pak ditë më parë. A.Visha është dënuar me 5 vjet burgim për akuzën e “Dhunës në familje”, “Ngacmimit seksual” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg.
Arrestimi i Vishës është kryer nga policia në 30 shtator 2019, ndërsa gjatë kontrollit të banesës policia ka gjetur dhe pistoletën, një revolver me mulli në gjendje të rregullt. /shqiptarja.com/
/e.rr