Myslimanët në mbarë botën po përgatiten të festojnë brenda shtëpive të tyre festën triditore të Bajramit, një nga festat e tyre më të mëdha, pasi agjërimi i Ramazanit merr fund sonte.
Festa fillon të shtunën ose të dielën, në varësi të hënës së re.
ARABI SAUDITE
Arabia Saudite ka deklaruar se Bajrami do të fillojë të dielën. Këtë vit, festa do të shoqërohet me qindra miliona njerëz të mbyllur në shtëpitë e tyre gjatë asaj që është zakonisht një kohë festive e udhëtimeve, vizitave në familje, blerjeve dhe takimeve me të dashurit. Në qytetet e shenjta islamike të Mekës dhe Medinës, njerëzit do të autorizohen vetëm të lënë shtëpitë e tyre për të blerë ushqime dhe ilaçe.
EGJIPT
Qeveria në Egjipt ka shtyrë shtetrrethimin me katër orë dhe ka ndaluar të gjithë transportin publik për gjashtë ditë që nga e diela.
INDI
Qeveria në Indi ka ndaluar grumbullimet e mëdha ndërsa në disa shtete, muslimanët kanë filluar fushata duke nxitur njerëzit që të përmbahen nga blerja e rrobave të reja për festën dhe në vend të kësaj të japin lëmoshë për ata në nevojë.
INDONEZI
Indonezia ka përjetuar një rritje të rasteve me koronavirus ditët e fundit ndërsa miliona njerëz po përgatiten për Bajramin. Edhe pse presidenti Joko Widodo ka ndaluar njerëzit që udhëtojnë në shtëpi për pushime në mes të frikës se kjo mund të shkaktojë transmetimin, mijëra persona kanë raportuar se kanë bërë udhëtime këtë javë.
Ndërsa shumë indonezianë, veçanërisht punëtorët migrantë, janë bërë të bllokuar dhe pa të ardhura mes vështirësive ekonomike për shkak të ndikimeve të pandemisë, mijëra prej tyre janë kthyer në kontrabandistë dhe bëjnë dokumente false udhëtimi për të mbërritur në kohë në vendlindjet e tyre për festime.
IRAK
Në Irak rrugët janë parë të mbushura me njerëz të zënë me blerje për rroba, lodra dhe pajisje shtëpiake. Shumica e bizneseve u është lejuar të rihapen javët e fundit, por autoritetet planifikojnë të rivendosin një shtetrrethim 24-orësh gjatë Bajramit.
IRAN
Në Iran, ministri i Shëndetësisë, Saeed Namaki paralajmëroi njerëzit të mos udhëtojnë gjatë Bajramit. Irani ka pësuar shpërthimin më vdekjeprurës në Lindjen e Mesme me afro 130 000 raste dhe më shumë se 7 000 vdekje. Përpara festimeve, autoritetet kanë anuluar lutjet masive në Teheran, të udhëhequr tradicionalisht nga udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
MALAJZI
Në Malajzi, autoritetet do të lejojnë malajzianët të vizitojnë të afërmit që jetojnë afër, por mbledhje të tilla janë të kufizuara deri në 20 persona. Njerëzit inkurajohen të veshin maska për fytyrën dhe të përmbahen nga kontaktet fizike. Disa xhami janë rihapur, por kongregacionet janë të kufizuar në 30 vetë.
TURQI
Turqia ka vendosur bllokimin e saj të parë mbarëkombëtar para festave. Shtetrrethimi për katër ditë hyri në fuqi në të gjitha 81 provincat në mesnatën e kaluar, në prag të festave të Bajramit. Njerëzit nuk lejohen të marrin pjesë në tubime të mëdha ose të udhëtojnë për të vizituar familjen dhe miqtë. Faljet në xhami janë pezulluar që nga 16 marsi.
EBA
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, parqet dhe plazhet private do të jenë të hapura por grupet do të kufizohen deri në pesë persona. Fëmijët nën 12 vjeç dhe të rriturit mbi 60 vjeç janë të ndaluar të shkojnë në qendrat tregtare në Dubai dhe Abu Dhabi, ndërsa restorantet mund të funksionojnë vetëm me 30% të kapacitetit.
AL-AKSA
Në Bregun Perëndimor, Autoriteti Palestinez ka njoftuar se një bllokim në qytetin e Betlehemit do të rivendoset gjatë tre ditëve të festës. Kompleksi i xhamisë Al-Aksa i Jeruzalemit – vendi i tretë më i shenjtë në Islam – do të mbetet i mbyllur deri pas festës. /ATSH/
/e.rr