Nga ZHULIANA G. JORGANXHI
Sot është 20 Maj, Dita Kombëtare e Jetimëve… Dita e Dashurisë Njerëzore, kushtuar krijesave më të bukura dhe më të pafajshmëve të kësaj bote. Është dita e miturakëve pa krahë, e fëmijëve pa fëmijëri, e atyre që kanë humbur familjen, çerdhen e ngrohtë të kujdesit prindëror.
Kjo ditë, i thërret ndërgjegjes së çdo njeriu të mendojë qoftë edhe për një çast të vetëm për të ndezur një dritë shpresë, e paskëtaj, të zgjojë kaq shumë ëndrra të plagosura që në embrion, që, gjithsesi, ato mbeten gjallë tek këto krijesa engjëllore nëse dikush kujtohet pë ta. Si intelektuale, si Grua dhe si Nënë, gjykoj se nuk do të mjaftonte vetëm kjo ditë për të menduar dhe për të reflektuar për këta fëmijë shpesh herë të pafat. “Fëmija pa nënë, si nata pa hënë!”, na thoshnin dikur plot dashuri e dhembshuri gjyshërit dhe gjyshet flokëbardha, nënat dhe etërit tanë të mirë…
Mjafton kjo thënie, e cila na kujton të gjithëve ato të përpjekje të mëdha njerëzore për mbijetesë ardhur nga brezat, që të mendosh sa e vështirë është jeta e një jetimi, pa votrën ku mëkohet dhe ngjizet në çdo çast dashuria dhe ngrohtësia prindërore. Vetëm një shoqëri e shëndoshë dhe e drejtë, që kthen sytë nga këta fëmijë dhe tek ata në vështirësi ekonomike e cila mendon edhe për të ardhmen e tyre, mund të jetë një shoqëri e denjë njerëzore. Në fëmijërinë time kam njohur fëmijë jetimë, shumë prej tyre i kam pasur shokë dhe shoqe klase në shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare. Më vonë, i kam takuar në rrugët e jetës dhe jam gëzuar kur ata janë bërë njerëz të të aftë e të suksesshëm, që i kanë dhënë shoqërisë sonë, vendit të tyre. Jemi ulur në një bangë klase me ta, dhe për asnjë çast të vetëm, as unë dhe as bashkëmoshatarët e mij nuk kemi pasur ndonje paragjykim, as edhe ndonjë ndjenjë mëshire. Jo! Ata ishin të barabartë në sytë e ne fëmijëve të tjerë, edhe në sytë e mësueseve dhe mësuesve tanë.
Ndoshta, shumica e tyre vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kishte mes tyre jetimë nga nëna dhe ati, kishte nga ata, që kishin mbetur jetim vetëm nga njëri prej prindërve, kishte edhe nga ata, që për arsye ekonomike kishin gjetur strehë në Shtëpinë e Fëmijës, aty në qytetin tim të Korçës. Drejtori i kësaj Shtëpije Fëmije quhej Niko Çeçi, të cilin e shihja shpesh të aktivizohej me fëmijët jetim në grupet artistike të Pallatit të Kulturës, si korist. Kjo tregonte, se ishte jo vetëm një organizator i mirë i kësaj Shtëpije të madhe për jetimët dhe për fëmijët me nevoja ekonomike, por ishte dhe njeri i dashuruar pas artit dhe kulturës. Në pamje të parë dukej i rreptë në zbatimin e rregullave, por fëmijët e respektonin dhe e donin, sepse tek figura e tij shihnin figurën e një ati. Kam parë , kur erdha në Tiranë në rrugën e Elbasanit, ku ngrihej dhe konvikti i ne vajzave studente, Shtëpinë e Fëmijës.
Më dhembte kur i shihja të gjithë të veshur njësoj, por kur në atë shtëpi erdhi si drejtoreshë e ndjera Evanthi Ciko, ndryshoi veshja e atyre fëmijëve… Zonja e ndritur Evanthi, ishte jo vetëm një nënë model e fëmijëve të saj Zhanit dhe Ketit, por edhe një mësimdhënëse dhe edukatore për vite të tëra në shkollat e kryeqytetit. Ajo ishte dhe një grua fisnike dhe e përkushtuar, që tek fëmijët jetim në Shtëpinë e Fëmijës ku ajo drejtonte këtë institucion, shihte fëmijët e saj. Ndaj la tek ata përjetë gjurmët e respektit dhe nderim për punën e madhe që bëri ndër vite. Kur je fëmijë, gënjehesh dhe më një lodër, por kur fëmija fillon dhe ndërgjegjësohet, atëhere duhet një kujdes i veçantë për të. Dikush mund të ketë të dhëna natyrore për pikturë, dikujt natyra mund t’i ketë dhënë një zë të bukur, dikush e vuan më shumë se të tjerët mungesën e prindërve, sepse nga natyra është më i ndjeshëm, dikush më i shkathët. Mirëpo, çdokush pra, që merret me këta fëmijë duhet t’iu përkushtohet atyre me shpirt e zemër. Për këta fëmijë, në rradhë të parë duhet të kujdeset shteti, organizatat jo qeveritare dhe e gjithë shoqëria.
Kjo nuk duhet bërë vetëm me një ditë, as në formë “fushate”, që i ngjan më shumë asaj të një parade, se ja, edhe ne mendojmë dhe punojmë për këta fëmijë, që jeta i’u dha një fat jo të lehtë. Kjo do të ishte sa fyese për këta fëmijë, nga ana tjetër edhe një shfaqje mëshire. Mëshira, që mund të shfaqin njerëzit ndaj tyre i fyen rëndë ata, u’a cënon dinjitetin dhe krenarinë. Këta fëmijë kanë personalitetin e tyre, si çdo fëmijë i zakonshëm, që rritet në kushte normale pranë familjes së tij. Të pikon në shpirt kur shikon fëmijë në kushte të rënda varfërie, që detyrohen të bëjnë punë të rënda, që në pikë të agut të mëngjesit, dhe pastaj, me një copë bukë të thatë ose një copë djathë, me dëshirën e zjarrtë për dije, marrin rrugën për në shkollë.Në një prej programeve të ndryshme sociale që shfaqin mediat tona, më mbeti në sy dhe në mendje fat ii trishtë i një vajze dhjetëvjeçare, që çohej me motrën e saj në orën pesë të mëngjesit për të mbledhur kërmij, dhe pas kësaj pune shkonte me vrap në shkollë.
A kanë sy ata politikanë, që pa punuar as edhe një ditë të vetme, kanë bërë pasuri me miliona dhe fëmijët e tyre të përkëdhelur nga fati, bëjnë gara mes tyre se kush të ketë makinën më luksoze..!? Në sy dhe në zemër më mbetën edhe ata vocërrakë të një shtëpije, që u ishte prerë energjia elektrike dhe për të bërë detyrat e shkollës dilnin tek pragu i shtëpisë së tyre, sepse iu mungonte drita në shtëpi! Ata vocërrakë, kanë dëshirën e zjarrtë të mësojnë mirë në shkollë, të lexojnë një libër, por kur bije shi dhe është dimër dhe nuk dilet dot as tek pragu i shtëpisë si bëjnë këta fëmijë, në vështirësi të mëdha ekonomike? Ndërkohë që fëmijët e tjerë bëjnë gara kush të ketë telefonin e markës më të fundit. E dhimbshme kjo gjendje! Aq e dhimbshme, sa të buçasin në vesh vargjet kambanë të Migjenit të madh: “Kafshatë, që s’kapërdihet, ashtë o, vëlla mjerimi!” Dhe si këto dy shembuj, që solla janë me qindra e qindra në Shqipërinë tone hallemadhe.
Ndaj lypset që çdo zyrtar me një pozicion në qeveri, në Parlament (se përse na duhen parlamentarët, kur nuk çojnë në atë tribunë hallet e një populli?!), duhet të mendojë dhe të veprojë për më të mirën e fëmijëve jetimë dhe atyre që ndodhen në vështirësi ekonomike. Nevojiten politika dhe programe efektive të ndihmës dhe të mbrojtjes sociale për të gjitha ato familje dhe fëmijë që jetojne në një varfëri të skajshme. Këta fëmijë, qoftë ai jetim ose i rritur në vështirësi, rriten para kohe kur përballen me vështirësi dhe mungesa të përditshme bazike. Mund t’i gëzojë një çast një dhuratë bamirësie dhe nuk e harrojnë këtë gjest, por jeta është e gjatë. Çdo ditë dhe çdo orë, ata fëmijë kanë nevojë jo vetëm për një fjalë të mirë, për një buzëqeshje e ledhatim, por së pari për një jetë normale si gjithë fëmijët e tjerë. Vitet ikin dhe qoftë jetimët, qoftë ata të asaj pjese të shoqërie që vuan nga varfëria, rriten një ditë, se jeta ka ligjet e saj. Por, ç’bëhet me ata adoleshentë, të këtyre kategorive në Shqipërinë tonë? Fëmija i rritur në një Shtëpi Fëmije vjen një ditë dhe duhet ta lerë atë strehë. Adoleshenca është mosha më delikate e njeriut…! Gjithmonë më ka shkuar mendja tek ato vajza, që një ditë, duhet të lenë në moshën më delikate Shtëpinë e Fëmijës, dhe, të mbetura mes katër rrugëve, pa asnjë përkrahje shpesh bien në grackën e njerëzve të paskrupull e kriminelë të pashpirtë, që shfrytëzojnë mjerimin e tyre dhe i çojnë në rrugë pa krye, deri në prostitucion.
Dikur, bashkëmoshataret e mia jetimbetura, arrinin të mbaronin shkollën e mesme të përgjithshme ose profesionale dhe gëzohesha kur i takoja, sepse bëheshin të zonja të jetës së tyre dhe që kishin formuar familjet e tyre. Sot, ka një Institut Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, të cilin e drejton me pasion dhe përkushtim të madh, miku im i vyer Ilir Çumani, një tjetër ish fëmijë jetim, pasioni, përkushtimi dhe puna shembullore e të cilit në gjithë këto vite, ka bërë që shumë jetimë të kenë shanse duke mundur të krijojnë jetën e tyre ndershmërisht. Po a do të mjaftonte vetëm puna e një Instituti dhe e një njeriu. Jo! Përveç shumë institucioneve shtetërore, sot ka shumë OJQ që “merren” me këto probleme, por shpesh ato kthehen vetëm në një burim fitimi për disa njerëz dhe jo për të përmbushur qëllimin për të cilën ato janë ngritur dhe janë formuar.
Ideja dhe nisma që ndërmori afro dy dekada më parë Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë që, 20 Maji, të fiksohet në kalendarin e çdo viti si “Dita Kombëtare e Jetimëve”, kishte si qëllim një mision sa fisnik, aq edhe human. Kjo nismë ka synuar në gjithë këto vite përpjekjen për të zgjuar ndërgjegjen e gjithsejcilit prej nesh, për të vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e ndihmës dhe solidaritetit dhe për të humanizuar edhe më shumë shoqërinë tonë, për të vënë në lëvizje dhe pozita pune institucionet tona politikbërëse dhe ato të ligjitzbatues për të bërë më të mirën për fëmijët jetim. Kjo pandemi, që preku botën mbarë, na nxorri dhe ne në pasqyrën e së vërtetës, na tregoi sa të dobët jemi realisht, sa indiferentë dhe egoistë jemi të gjithë, me në krye pushtetarët dhe ata që bëjnë pjesë në atë Parlament, sepse nuk nevojiten vetëm fjalët dhe premtimet solemne më 20 Maj, në “Ditën Kombëtare të Jetimëve”, por lypset një pjesëmarrje e vërtetë e solidaritetit dhe e ndihmës konkrete nga institucionet tona në radhë të parë, pastaj dhe e gjithë shoqërisë, për të mbrojtur dhe fuqizuar familjet e riskut që rrezikojnë të lënë jetim fëmijët e tyre, për t’ua lehtësuar jetën të gjithë fëmijëve të shtresavë në nevojë. Një ditë, është shumë pak, sado të bëhet për jetimët dhe fëmijët që rriten në varfëri…!
Triste, Itali – 20 Maj, 2020