Në kushte të tjera, me normale, do ishte vënë re menjëherë. E po ashtu komentuar. Ajo pra, që kreu i demokratëve Lulzim Basha po tenton të kurojë pamjen, për ta bërë sa më rinore, të shpenguar, sportive.
E ka nisur nga nxjerrja e këmishës mbi pantollona.
Nuk dihet nëse pas këtij ç’skematizimi ka ndonjë kurues të specializuar apo vepron me kokë të vet, ndonëse shija e bashkëshortes mund të jetë përcaktuese në vendimmarje, por realisht nuk i shkon.
Nuk i shkon jo thjesht nga fakti se e ka betonuar vizualisht veten te perceptimi i opinionit si i “rregullt në veshje”, me një thjeshtësi skematike, porse dhe këmishat e zgjedhura për t’i lënë jashtë nuk janë të duhurat.
Plus që nuk e bëjnë me grishës; përkundrazi, e nxjerrin dhe lakuriq në një sforco lehtësisht të lexueshme për të ndërtuar një identitet të ri, përballë atij që është sfidë identitare, kundërshtarit politik Edi Rama.
Te ky i fundit, siç dihet, si kollarisja e si ekstravaganca, si seriozja e si qesharakja, si klasikja e sportivja, janë pjesë identitare të ngjizura e të afirmuara në kohë. Gjithashtu dhe të gëlltitura nga publiku, deri në pikën e të qënit normale dhe të natyrshme.
Askujt nuk i bën përshtypje që Rama merr pjesë me xhup sportiv në mbledhje qeverie apo në atë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (ditët e post-tërmetit), përfshi dhe më të fundit akt, atë të atleteve të bardha me kostum klasik. Nëse nuk do i kishte këto, nuk do qe Edi Rama.
Por te Basha, tendenca të tilla mund të rezultojnë fiasko në të ndërtimin e një imazhi të kuotuar për të qenë lider tërheqës. Eshtë e qartë tashmë dhe defekti kryesor i tij, në ndërtimin e një lidershipi frymëzues, edhe një krizë identitare e brendshme, pa lëndë tërheqëse për publikun.
U dallua kjo dhe në rastin e nisjes së asaj fushatës së takimeve “të rastësishme” në treg duke bërë pazar a gjetiu, me hallexhinj shqiptarë të pamundur apo me frigorifer bosh. Ndërkohë, krah tij, Ilir Meta, po me të njëjtat tendenca, është bërë krejt anektodik.
Te Basha nuk është çështjeje veshjeje, edhe kur Rama i përmend pantollat e dokut për ta kompleksuar. Me dok a xhinse, Basha nuk çalon në pamje, as në stil veshjeje. Tek e fundit, xhinset që mban i japin rininë dhe freskinë e nevojshme në funksion të imazhit. Ndërsa këmisha në pantollona, psikologjikisht e bën më të besueshëm se sa jashtë tyre.
Problemi i Bashës është në mendim, në artikulim, në kreativitet; është në tealentin e munguar për të ndërtuar një histori suksesi me vokacion politik e shoqëror. (Në aspektin personal mund ta ketë ndërtuar: shkollimi, punësimet, pasuria).
Një pjesë prej tyre është e lindur, një pjesë ndërtohet. Që s’i ka të lindura është kuptuar. Por po kuptohet që dhe s’i ndërton dot.
Dhe këtë ngërç nuk e zgjodh dot këmisha mbi pantollona! (Tesheshi)