9 ditë pas zhdukjes së tij, autoritetet kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të Sefedin Lleshit. 63-vjeçari rezultonte i zhdukur në fshatin Rreth-Kalë të njësisë administrative Muhurr në Dibër.
Tvklan.al mëson se trupi i 63-vjeçarit u gjet në ujërat e lumit Drin, në komunën Zall Dardhë. Ishin banorët e fshatit që e konstatuan trupin e viktimës megjithatë mësohet se ai u nxor nga forcat e policisë.
Një ditë më parë, familjarët e 63-vjeçarit treguan se ai kishte qenë duke kaluar lumin me kalë në datën 5 Maj. Pas disa orësh, kali u kthye i përgjakur dhe i lagur, ndërsa nuk kishte asnjë shenjë nga Sefedin Lleshi.
Familjarët kishin bërë denoncim në Policinë e Dibrës për të nisur kërkimet, por vetëm sot u bë e mundur gjetja e trupit të tij.