Një ditë më parë është miratuar në qeveri garancia e dytë sovrane në vlerën e 150 milionë dollarë. Ndryshe nga garancia e parë ku kredia e parë do të shkonte vetëm për pagat e punonjësve, kredia e dytë do të përdoret për investime. Kjo garanci e dytë sovrane do të jetë një normë interesi 5%.
Garancia e dytë sovrane do të ketë një ndarje risku mes shtetit dhe bankës. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka zbuluar për Report TV se shteti do të garantojë vetëm 60% të kredisë që biznesi kërkon për kapital apo investim, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga bankat.
Vlera prej 40% e kredisë që nuk mbulohet nga shteti, është risk që ndahet mes biznesit dhe bankës, dhe në këtë rast banka mund të kërkojë kolateral për pjesën e kredisë që ajo financon. Pra bizneset nuk duhet vetëm të aplikojnë pasi plotësojnë kriteret por duhet të plotësojnë edhe kushtin e kolateralit për pjesën e kredisë që jepet nga banka dhe që nuk garantohet nga shteti.
Për bizneset që do të aplikojnë për garancinë e dytë sovrane do të aplikohen 2 limite, ku kryesore është fakti që nuk do të lejohet që biznesi të marrë më shumë se 300 milionë lekë kredi për kapital qarkullues.
“Ka një limit për biznesin me një shumë maksimale deri në 300 milionë dhe limiti tjetër është pjesë e garancisë. çdo bankë ka një shumë të caktuar që vjen si pjesë e portofolit të krijuar në vite. Është vendosur që për çdo shumë të madhe një bankë të japë 50 % të portofolit të tyre në mënyrë që të ketë një shpërndarje në bankat e tjera“, tha Denaj.
Nga momenti që do të vazhdojë të aprovohet kjo kredi për bizneset, kredimarrësit për 6 muaj nuk do të paguajnë principal por vetëm normën e interesit. Denaj thotë se ndryshe nga kredia e parë, tek e dyta nuk do të lejohet ristrukturim i kësteve nëse bizneset kanë vështirësi financiare për ta paguar atë.
“Tek garancia e parë sovrane kemi lënë 3 muaj periudhë grace, që nënkupton se nuk do të paguaj këstin dhe tashmë me marrjen e normës së interesit nga shteti nuk do të paguaj as interes. Në garancinë e dytë sovrane është 6 muaj por meqë norma e interesit nuk subvencionohet do ti paguaj këto 6 muaj.
Tek garancia e parë sovrane ne kemi lënë të hapur edhe procesin e ristrukturimit të kredisë, duke e menduar që muajit e parë mund të kenë pasur shumë vështirësi bizneset dhe nuk kanë rritur të ardhurat. Ndërsa tek garancia e dytë sovrane mundësia e ristrukturimit nuk është vendosur pasi risku është i ndarë me bankat dhe ato nuk do të pranonin pasi ato janë vetë biznes”, shpjegon Denaj.
Ndërsa sa i takon garancisë së parë sovrane deri më tani Denaj shprehet se janë dhënë 5.5 miliardë lekë, dhe shpjegon se ky është një proces që merr kohë pasi bizneset duhet të plotësojnë kriteret e bankës.
“Deri më tani janë bërë 458 aplikime dhe është dhënë gati 5.5 ose 5.6 miliardë lekë, janë në proces mes aprovimit dhe disbursimit rreth 90 aplikime”, pohon Ministrja e Financave.
Ndërkohë Ministrja e Financave sqaroi se bizneset që kanë pasur ecuri të keqe me shqyerje të kredive të mëparshme nuk do të mund të përfitojnë, ndërsa kjo kredi do të bëhet funksionale pasi të miratohet marrëveshja edhe nga bankat, ndërsa nga Financa është firmosur ditën e sotme.
Garanci sovrane do të jetë për sektorët e turizmit, fasonët dhe bizneset prodhuese, që janë të prekur ndjeshëm nga COVID-19. Pavarësisht se shteti i garantoi 100% edhe në garancinë e parë sovrane bankat kanë kërkuar dorëzani, garancia nga bizneset për kredinë.
INTERVISTA E PLOTË MË MINISTREN E FINANCAVE ANILA DENAJ
Zonja ministre një ditë më parë është miratuar garancia e dytë sovrane, këtë herë për t’ju dhënë ndihmë bizneseve edhe në anën e investimit. Ku ndryshon kjo kredi nga e para dhe çfarë norme interesi do të aplikohet?
Garancia e dytë sovrane është në një vlerë më të madhe, e para ishte 11 miliardë lekë, sot flasim për një garanci të dytë 15 miliardë lekë, e cila në fakt përfaqëson vetëm një pjesë të të gjithë shumës që do të jetë e mundur për tu vendosur në shërbim të bizneseve, pasi në konceptin e ndarjes së riskut ne mbajmë vetëm 60% të riskut dhe në një farë mënyrë biznesi mund të adresojë nevojat e tij për më shumë sesa pjesa që garantohet, pasi edhe bankat do të japin shumën e 40%. Pra bëhet fjalë për një vlerë më të madhe dhe ka një ndarje risku, dhe banka është 40% dhe shteti 60%. Norma e interesit shkon deri në 5% dhe ka një afat 5 vjeçar. Nëse garancia e parë ishte e fokusuar tek pagat, kjo garanci shkon për kapital qarkullues dhe për përmirësimin e kushteve për bizneset në mënyrë që të akomodojnë edhe nevojat e bizneseve pas COVID.
Do të ketë një limit apo tavan se sa është vlera që mund të marrin këta biznese kredi?
Në fakt janë 2 limite, është një limit që shkon për biznesin që shkon deri në një shumë maksimale deri në 300 milionë, por ka edhe një limit tjetër. Çdo bankë ka një shumë të caktuar që vjen si rezultat i një llogaritje të % që ka ajo sot në portofolin e kredisë që ka zhvilluar ndër vite. Dhe nëse në bakë X, në shumën që i takon me këtë marrëveshje, zhvillon të gjithë fokusin tek bizneset e mëdha, atëherë do të linim jashtë vëmendjes bizneset e vogla. Ne kemi vendosur një kufizim tjetër që për çdo shumë mbi një nivel të caktuar, ose shumat e mëdha të përbëjnë vetëm 50% të portofolit të këtyre kredive që të ketë një shpërndarje më të gjerë. E njëjta metodë pune është përdorur edhe për garancinë e parë, pasi vendosëm limitonte për paga që ishin në bordero nën 150 mijë lekë.
A do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare kjo garanci sovrane?
Ne kemi punuar dhe përgatitja ka ardhur në bashkëpunim me bankën e Shqipërisë dhe ato të nivelit të dytë, unë sot kam nisur të firmosur nga ana jonë marrëveshjen, me objektivin që në fillim të javës tjetër të firmoset nga titullarët e bankave dhe ti apet rrugë aplikimit të bizneseve. Ka një element që debatohet sot, se sa efektive janë këto fonde? Ne e kemi saktësuar se që në garancinë e parë dhe në të dytën që politikat e riskut të bankës janë po ato që vendosin e dhënies së kredisë, pasi ato janë para që vërtet janë të garantuar nga qeveria shqiptare por janë të taksapaguesve, dhe ne kemi pritshmërinë që ato të kthehen dhe është e sigurt që ky moment është nevojë urgjente likuiditeti por sigurisht bizneset do të duhet ta menaxhojnë atë më mirë por duhet edhe ti kthejnë.
Ka edhe një lehtësi tjetër në mënyrë që likuiditet në muajit e parë në kredi ke një afat kohe 30 ditor. Tek garancia e parë sovrane kemi lënë 3 muaj periudhë “grace”, që nënkupton se nuk do të paguaj këstin dhe tashmë me marrjen e normës së interesit nga shteti nuk do të paguaj as interes. Në garancinë e dytë sovrane është 6 muaj por meqë norma e interesit nuk subvencionohet dhe është një kredi që siç thash që përtej faktit që 5% mund të duket normë e lartë, por çdo politikë banke tashmë po ridimensionohet dhe interesat mund të rishikohen dhe është normë interesi e butë dhe interesi do të paguhet këto 6 muaj. Bizneset duhet të aplikojnë dhe duhet të kenë qasje ndaj bankave që kanë pasur një histori të mëparshme. Duhet të plotësohen kushtet e politikave të bankës dhe kjo ka kohë. Pra, nuk është një produkt automatik që në momentin që aplikon kjo disbursohet, dhe nuk është pjesë e qeverisë por e bankave. 458 aplikime për garancinë e parë dhe në garancinë e dytë ne shpresojmë që në planet e tyre të biznesit të fillojnë të fillojnë menjëherë ta vënë në përdorim dhe aplikim me bankat.
Në fakt për garancinë e parë ka pasur kritika, dhe bizneset nuk kanë aplikuar pasi kanë frikë pasi mund të kenë frikë për ta paguar më pas, po tek garancia e dytë mund të ketë ndonjë lehtësi tjetër nëse ata shikojnë që kanë vështirësi për të paguar apo do të jetë qasje e bankave?
Tek garancia e parë sovrane ne kemi lënë të hapur edhe procesin e ristrukturimit të kredisë, duke e menduar që 3 muajit e parë kur ne dizajnuam produktin janë muajit që jemi duke jetuar dhe që mendojmë që deri në fund të korrikut për një biznes që aplikon sot apo deri në fund të gushtit, këto nuk janë muaj që kanë rritur të ardhurat, 3 muaj “grace” (pa principal që nuk paguan), është e para por menjëherë pas kësaj nëse biznesi ka parë në analizën e riorganizimit qoftë edhe optimiste, mund ta ristrukturojmë. Ndërsa tek garancia e dytë sovrane mundësia e ristrukturimit nuk është vendosur pasi risku është i ndarë me bankat dhe ato nuk do të pranonin pasi ato janë vetë biznes. Edhe ata janë afektuar dhe është shumë e rëndësishme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe sistemi bankar në të gjitha ato pika të forta që ka sot të ruaj ato pika dhe të eci më tej përpara.
Marrëdhënia biznes-bankë nuk duhet parë gjithnjë kritike, është një marrëdhënie legjitime e cila ka një garanci bankare, pra nevoja për të marrë kolateral në rastin e parë është zero dhe në rastin e dytë është deri në 40% por do të jetë brenda politikës së bankës dhe pjesa tjetër është e garantuar nga qeveria. Por kolaterali nuk është arsyeja për të cilën merret kredi arsyeja për të cilën merret kredia është “ do të kem unë një biznese i cili do të ketë ardhura, në varësi të kësaj sa?”, për këtë bëj aplikimin me idenë që ta kthej.
Deri më tani nga garancia e parë sovrane sa është numri aplikimeve të aprovuara?
Deri më tani janë bërë 458 aplikime dhe është dhënë gati 5.5 ose 5.6 miliardë lekë, janë në proces mes aprovimit dhe disbursimit rreth 90 aplikime, por është një proces i tyre që menaxhohet. Por nuk është hera e parë pasi bizneset e dinë shumë mirë që ky është një proces që do kohën e vet. Ndërkohë nëse ka banka që nuk i kanë përdorur të gjitha fondet në dispozicion, brenda 60 ditëve VKM kërkon që fondi të shpërndahet tek bankat e tjera.
Zoti Silvio Pedrazzi tha ditën e djeshme që përfitues janë ata biznese që kanë një të shkuar të mirë në sektorin bankar, dhe nuk kanë qenë kredimarrës me probleme?
Politikat e bankës dhe të riskut të bankës nuk themelohen sot. Janë politika që banka qendrore auditon dhe i kontrollon në mënyrë të vazhdueshme. As tek garancia e parë që është 100% , por sidomos tek e dytë që është e ndarë risku, bankat të vendosin politika të reja risku, pasi edhe nëse do të ndodhte që e dyshoj, do të ishte banka qendrore që do të kishte ekuilibrin e duhur për të reaguar. Këtu nuk po flasim për klient që janë të vendosur në riskun e kredive të këqija pasi prej kohësh nuk adresohen. Ne po flasim për biznese që kanë pasur vështirësi por që kanë qëndruar marrëdhënie të mirë në vite, bankat do t’ju qasen. Ndërsa se sa ëshët shuma dhe afati janë politika të riskut të bankës. Banka vendos për politikat e saj, jo Ministria e Financave.