Në emër të djalit të tij në kërkim nga policia, babai i tij Mustafa Lici, refuzon t’i përgjigjet Operacionit Forca e Ligjit që këtë të mërkurë i dërgoi formularin e vetëdeklarimit të pasurisë. Ky rast shënon edhe refuzimin e parë të një kërkesë të OFL. Sipas Mustafa Licit, djali i tij, Ibrahim Lici nuk është subjekt i OFL-së, me argumentin se ai nuk është person në hetim.
“Unë Mustafa Lici, ju kthej përgjigje në emër të djalit tim, Ibrahim lici. Refuzon të ju përgjigjet pasi Ibrahim Lici nuk është subjekt u këtij ligji. I pa dënuar nga asnjë Gjykatë vendase ose e huaj. Nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjyqtar për ndonjë vepër penale, aktualisht as e huaj as vendase. Nuk është person nën hetim nga Prokuroria për asnjë vepër apo çështje penale”, shkruhet në dokument.
Në një përgjigje të prokurorisë në janar 2020 për avokatin e Ibrahim Licit, Sajmir Visha, ku thuhet se ai nuk është në hetim për vrasjen e vëllezërve Bilali, por duhet të paraqitet si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit. Megjithatë që pas momentit të vrasjes më 30 mars 2019 të vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali në Shkodër, Ibrahim Lici vijon të jetë në kërkim nga policia.
/a.r