Ministria shqiptare e shëndetësisë dhe përfaqësuesit e federatës së futbollit ranë parimisht dakord që futbollistët shqiptarë të mos iu nënshtrohen analizave antikovid, por çfarë mendimi ka Gianluca Stesina, shef i departamentit të mjekësisë në federatën e futbollit. Për Tv Klan ai thotë se lojtarët duhet të kryejnë analizat sierologjike dhe tamponin.
“Sigurisht para nisjes së stërvitjeve, futbollistët duhet tu nënshtrohen ekzaminimeve seirologjike, por edhe tamponin, por edhe vizita për rikthimin në aktivitetin normal të një futbollisti. Detyra jonë është të kuptojnë se cilat egzaminime mund të jenë të realizueshme shpejt dhe në siguri maksimale”
Italiani Gianluca Stesina është mjek sportiv dhe një nga themeluesit e qendrës mjekësore të klubit të Juventusit. Sipas tij Shqipëria nuk është një ambient 100% i sigurt.
“Ne bashkëpunim me ministrinë duhet gjetur protokolli mjekësorë dhe më lehtësisht i realizueshëm për të rinisur kampionatin me siguri shëndetësore. Duhet vendosur se cilat do të jenë analizat për futbollistët para rinisjes. Duhet të jemi të qartë. Rreziku zero është i pamundur. Duhet të gjejmë një protokoll për të reduktuar në minimum rreziqet e infektimit dhe shpërndarjes së virusit”.
Sipas protokollit mjekësor të propozuar nga Federata e futbollit në rast se pas rinisjes së sezonit, një futbollist do të rezultojë pozitiv, do të karantinohet vetëm personi, dhe jo e gjithë skuadra për të vijuar normalisht deri në përfundim të kampionatit.