“…Kurrgja e re nën këtë diell! Ndërsa ujët rrjedh, bota po aty…” Rojtari i kujtesës për Lulzim Bashën dhe miku i (para pushtetit) i Edi Ramës, At’ Zef Pllumi sjell këtë përshtypje në fillim librin 700 faqesh “Rrno vetëm për me tregue”…
…Sot, pas 14 vjetësh nga koha kur libri u botua, fjalët e tij vlejnë. Mos shkojmë shumë larg, vetëm një vit më parë, për të kuptuar se në Shqipëri, aty ku për dreq, gjithçka rrotullohet kah politikës, shumëçka ndodh e përmbyset, e më të njëjtën vrull harrohet, ashtu si reflektimi dhe arsyet se pse ndodhën…
(Prill 2019 me Prill 2020)
Absolutisht që prilli i vitit 2019 mund të quhet si muaji me protagonist, Lulzim Bashën. Ishte koha kur opozita kishte braktisur përfundimisht Kuvendin dhe i ishte kthyer rrugës në protestën e saj të tretë kombëtare dhe në të nëntën që kish zhvilluar ato dy muaj. Fillimi i muajit e gjeti Lulzim Bashën me tur nëpër rrethe dhe thirrje alla revoluciomare; “Asgjë nuk do të përparojë, asnjë dialog nuk do të nisë, pa larguar shkaktarin dhe arkitektin e narko-shtetit”. Ai i parapriu turit për të frymëzuar protestën e lajmëruar të 13 prillit. Një tubim i tensionuar ku u hodhën gurë, fishekzjarre e molotovë e ku policia në anën tjetër nuk kurseu gazin lotsjellës.
“Asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit, nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran…”, tha Lulzim Basha pas protestës së 13 prillit.
“…Tik-tak, tik-tak, tik-tak…”, i numëroi kohën Ramës. Në fakt, Rama mungoi vetëm ditën e protestës. 13 prillin e vitit të kaluar, kryeministri i gjeti një ftesë vetes për të mos shkuar në seli. Mediat raportuan se bash atë ditë, shefi i qeverisë ishte larguar për në Kuvajt, duke shmangur për të tretën herë protestën e opozitës në bulevard, kësaj here me një vizitë pune, që as u mor vesh se për çfarë dhe si.
Rama foli për opozitën vetëm dy ditë para protestës në Kuvendin e 11 prillit. Gjithçka, sipas tij, ishte politike dhe se protesta e opozitës lidhej me përpjekjen e kësaj të fundit për të penguar hapjen e negociatave.
“…Ata që nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke i bllokuar do të marrin pushtetin do të zhgënjehen thellë, pasi jemi ne që do i hapim dhe që do i fitojmë zgjedhjet dhe që do ta fusim Shqipërinë në BE,” tha Rama nga Kuvendi…
….Ndryshe nga prilli i vitit 2019, ai i këtij viti mund të quhet pa droje si prilli i Edi Ramës. Në një situatë të pazakontë, me një “armik” (kësaj here) të padukshëm, Edi Rama ishte “One Men Shoë” i gjithë krizës më shumë se 30 ditore të Covid-19. Ai e fokusoi vëmendjen e shtetit tek vetja, duke publikuar dhe paraprirë çdo vendim të qeverisë përmes Facebook-ut. Edhe Rama lëshoi “molotovët” e tij me fjalë nga ERTV duke replikuar jo pak herë ashpër me qytetarët edhe për vetë natyrën e situatës së pazakontë…
…Plot një vit më parë në të njëjtën kohë prilli, Basha protestonte ashpër për ta larguar, se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të mbaheshin dhe se vendit i duhej një qeveri tranzitore që, sipas tij, do të mundësonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet u zhvilluan. Qeveri tranzitore (të paktën deri tash) nuk pati. Një vit më pas, Rama është veçse protagonist në një kohë pandemie (jo politike). Sërish në zyrën e tij. I trazuar po. Por, jo i larguar…
…13 prill-in e këtij viti, Rama bëri publike paketën e dytë të zgjeruar ekonomike. Sipas tij, prej saj do të përfitojnë 176 000 familje dhe individë.
Në të njëjtën ditë, (13 prill) Basha nga zyra e tij, kërkoi më shumë testime në popullatë duke ngritur shqetësimin se vatra të reja po krijoheshin kryesisht tek fasonëritë. Për zgjidhjen e situatës tek ky biznes, Basha numëroi se voliteshin jo më shumë se 15 milionë euro dhe se ky fond mund të çlirohej direkt nga anullimi i tre koncesioneve për inceneratorët. PD-ja foli gjithashtu për 10 tendera të mbajtur sekret nga qeveria, ndërsa akuzoi në prill, se mbi 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse janë blerë nga qeveria me dy apo trefishin e çmimit, që qytetarët mund ta blinin në farmaci.
Nga fundi i muajit prill u lajmëruan edhe lehtësim masash për qytetarët. Për herë të parë që prej 9 marsit u fol për zonat e gjelbra (ato jashtë rrezikut) u hapën disa biznese (por jo baret, restorantet, parukeritë, qëndrat estetike, ato tregtare, palestrat… etj) ndërsa fasha orare e lëvizjes mbeti 05:00-17:30 pasdite…Çdo gjë në këtë kohë pandemie koordinohej përmes një leje të marrë në e-Albania.
Paqja…
Në prillin e vitit 2019, Presidenti Ilir Meta u shfaq i tensionuar për situatën politike në vend. Pa dashur të përzihej ende mes dy të mëdhenjve, Meta shfrytëzoi një takim me aleatët e Bashës për të shprehur “shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku kishte hyrë vendi”. Më herët, ai kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit…
…Prillin e vitit 2020, Meta shfaqet grurë me Edi Ramën. Kujton se aksioni i tij i 2 Marsit qëndron, por nënvizon gjithashtu se bashkëpunimi institucional mes tij dhe Edi Ramës nuk ka munguar.
Në mesin e muajit prill të këtij viti, Meta thirri edhe Këshillin e Sigurisë ku u rreshtuan edhe Rama me Bashën, sigurisht “online”. Meta falenderoi si Ramën ashtu edhe Bashën duke shtuar se objektivi madhor i përbashkët ishte mbrojtja e shëndetit të qytetarëve. Edhe Basha është fokusuar tek interesi qytetar duke u shprehur disa herë gjatë muajit prill se nuk do të replikojë bosh me Edi Ramën. Kryeministri nga ana e tij ka mbajtur më së shumti një qëndrim tallës dhe shpërfillës ndaj opozitës, duke mikluar për hir të së vërtetës vetëm Ilir Metën. “Nuk shoh asnjë arsye për të mos e thënë me zë të lartë që po bën gjënë e duhur dhe respekt për atë që po bën”, tha Rama për Metën, ndërsa duket se këtë prill “harroi” nismën për shkarkim të Presidentit në Parlament. (Pandemia e shtyu deri në fund korriku afatin e komisionit hetimor).
Ndryshimet në Kodin Penal
…Me maska pa maska, duke bërtitur apo jo, opozita e re i bashkoi votat me mazhorancën për të votuar prillin e këtij viti ndryshimet e shumëpërfolura të Kodit Penal të imponuara nga pandemia. Me pak fjalë, ndryshimet e reja parashikojnë 2 deri në 5 vite burg për përhapjen me dashje të sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe deri në dy vjet kur vepra kryhet nga pakujdesia. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet burg. Meta i dekretoi ndryshimet, dhe e kishte një arsye, pavarësisht kostos që mori pas. Pak para seancës, ai i dërgoi një letër të pazakontë Kuvendit për këtë nismë, ku socialistët i morën parasysh një sërë propozimesh për ndryshimet e reja në Kod. Ndërsa Basha tha se me përjashtim të një rasti, PD-ja nuk mbështeste ashpërsimet e dënimeve. “Beteja nuk është me njerëzit, por me virusin”, është shprehur ai…
…Prillin e vitit të kaluar në Shqipëri pati një ngjarje të rëndë. Një super-grabitje ndodhi në pistën e aeroportit të Rinasit, ku dyshohet të jenë vjedhur mbi 5 milion euro. Atë kohë, opozita e pa këtë ngjarje si dështim dhe rënie të shtetit para krimit, ndërsa fajësoi qeverinë se ishte përgjegjëse kryesore për sigurinë në Rinas. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë ende.
Grupimi Qëndra e Djathtë
….Po aq serioze u shpërfaq në Prill (2019) edhe krijimi i koalicionit opozitar (vetëm një javë pas protestës) me tetë parti ku për herë të parë, Lulzim Basha uli zyrtarisht në një tryezë si Shpëtim Idrizin ashtu edhe Vangjel Dulen të përbetuar se nuk do të ishin bashkë politikisht. Opozita u ngadhënjye aq, në mos më tepër, kur pas takimit u citua madje edhe themeluesi i SHBA-së, Benjamin Franklin se, “kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca është detyrë”…
….Një vit më pas, postulati i Franklin u harrua. Tryeza e humbi aksionin e saj. Mbledhjet e saj janë bërë formale. Po aq edhe takimi i prillit të këtij viti. Vetëm pas më shumë se një muaj kohe karantine dhe krize në vend, Basha i mblodhi aleatët në një takim, ku mungonte Kryemadhi, (por ishte Vasili) e cila iu bashkua tryezës vetëm në fillim të majit për reformën zgjedhore, me një qëndrim krejt të kundërt nga ajo që më pas mbajti zyrtarisht PD…
Iku prilli dhe ka hyrë maji. Ashtu si vjet edhe këtë vit sherrnajë për reformën zgjedhore. Por beteja e re është ajo për pandeminë, kite, maska, paga lufte, tendera sekretë …Deri sa virusi të bëjë ciklin e tij. Asgjë më shumë…(Gazeta SI)