Prokuroria e Posaçme njoftoi dje se ka nisur hetimet për disa ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, disa nga të cilët janë shkarkuar nga Vetingu për pasuri të pajustifikuara. Po cilat janë pasuritë që gjyqtarët nuk justifikuan dot me të ardhura të ligjshme, sipas Komisionit të Vetingut? Ish-anëtari Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari është pjesë e listës së ish-gjyqtarëve që po hetohet nga SPAK. Dizdari, në bazë të hetimeve nga Komisioni i Vetingut, nuk justifikon një apartament në Tiranë, depozitë 5.272 euro, tre hua në vlerat 23.000 euro, 36.000 euro, 20.000 euro, makinë të blerë 900.000 lekë, 15.000 euro shpenzime për mobilimin e apartamentit si dhe 19 këste pagesa qiraje.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i njohur si gjyqtari që mbylli dosjen e 21 Janarit si dhe për certifikimin e përmbysjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, në 2011, duke shpallur fitues Lulzim Bashën pas fitores së Edi Ramës me një diferencë prej 10 votash, është shkarkuar pasi ka fshehur një makinë, ka bërë deklarime të pasakta për pasuti të tjera, nuk justifikon 1 392 336 lekë, ka bërë deklarim të rremë në lidhje me çmimi e blerjes së një garazhi, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët kanë pasuri të tjera. Tom Ndreca po hetohet nga SPAK-u.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj, i kallëzuar penalisht në SPAK, u vetëlargua nga Gjykata e Lartë me 28 korrik 2017, ndonëse mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, siç veproi Ardian Dvorani. Zenelaj nuk paraqiti kërkesë as për t’u emëruar në Apel, duke evituar përballjen me Vetingun. Në këto rrethana nuk ka asnjë vendim nëse pasuria e Zenelaj është apo jo e ligjshme. Ndërkaq, vetëm gjatë vitit 2016, Zenelaj ka deklaruar 16 apartamente me sipërfaqe: 292 m2, 62 m2, 67 m2, 54 m2, 60 m2, 51 m2, 54 m2, 66 m2, 59 m2, 55 m2, 54 m2, 55 m2, 67 m2, 51 m2, 54 m2, 55 m2 etj. Zenelaj ka deklaruar edhe tre njësi me sipërfaqe 16 m2, 15 m2 dhe 218.06 m2 si dhe dy sipërfaqe trualli 1941 m2, në Ishull Shëngjin.
Ish-gjyqtari në Gjykatën e Lartë Shkëlzen Selimi është shkarkuar për kontakte të papërshtatshme me perona të përfshirë në krim të organizuar, ndërsa Vetingu nuk ka dalë me një konkluzion sa i përket ligjshmërisë së pasurisë së tij. Ndërkaq, ILDKPKI, përmes një raporti për llogari të Vetingut, ka konluduar se pasuria e Selimit është në përputhje me ligjin. Selimi ka deklaruar një karburant në pronësi të tij dhe të bashkëshortes, ku vetëm gjatë vitit 2016, nga dhënia me qira e kësaj pasurie, ka deklaruar 51 mijë euro të ardhura.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj është kallëzuar gjithashtu penalisht në SPAK. Islamaj u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, por u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut. Sipas Kolegjit, Edmond Islamaj nuk arriti të dokumentonte ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëjetueses së tij, për një apartament, një njësi tregtare si dhe një garazh në Durrës.
Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, po hetohet gjithashtu nga SPAK për pasurinë. Dedja u konfirmuar nga detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, por Kolegji vendosi ta shkarkonte nga detyra, duke i dhënë fund karrierës së tij në drejtësi. Bashkim Dedja ka deklaruar apartament në Tiranë me sipërfaqe 146 metër katrorë dhe një garazh 15 metra katrorë, me vlerë 180 mijë euro. Sipas Kolegjit Dedja nuk e justifikon plotësisht këtë pasuri me të ardhura të ligjshme. Dedja ka pohuar se ka përdorur një apartament të të vëllai në Golem.
Kontrata e energjisë elektrike është paguar vetëm nga Bashkim Dedja nga dita e parë, fakt i cili ngriti dyshime se apartamenti mund të ishte i ish-gjyqtarit.
Ish-gjyqtari në Gjykatën e Lartë Aleksandër Muskaj, i cili është kallëzuar penalisht dhe për të cilin SPAK ka njoftuar se ka nisur hetimet, dha dorëheqjen nga drejtësia, duke evituar përballjen me Vetingun, ndonëse mund të qëndronte në detyrë sipas ligjit deri kur të zëvendësohej. Muskaj ka deklaruar rreth 7 mijë euro në vit nga dhënia me qira të një pasurie, gjendje të depozitës 33 770 dollarë, llogari bankare 2 814 677 lekë si dhe një kredi mbi 100 mijë USD.
Besnik Imeraj dha dorëheqjen nga Gjykata Kushtetuese në janar të vitit 2018, duke i shpëtuar Vetingut. Ish-gjyqtari mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej siç veproi Vitore Tusha. Për Imesajn procesi i Vetingut kishte nisur që në vitin 2017. Pas dorëheqjes, Komisioni i Vetingut, dosjen e hetimit të Imerajt e depozitoi për hetim në Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk dihet se çfarë përmban kjo dosje, por në deklaratat e pasurisë rezulton se Imaraj ka në pronësi vetëm një banesë.
Në tetor të 2019, Bundestagu gjerman ka miratuar 7 kushte, të cilat duhet të plotësohen nga autoritetet shqiptare, pas çeljes së negociatave, gjatë rrugës për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Një nga 7 kushtet parashikon ‘fillimin e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e Vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme”. Janë mbi 100 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar për shkak të pasurive të paligjshme dhe lidhjeve me krimin. / shqiptarja.com
g.kosovari