Drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi ka sqaruar maturantët se si do të korrigjohen provimet e maturës shtetërore.
Sipas saj korrigjimi do të kryhet përmes procesit dixhital, një kushtet kur edhe pyetjet janë vetëm me alternativa.
“Nxënësit, pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave”, ka thënë drejtorja.
“Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar”, thotë znj. Vrapi.
Pasi të gjitha rezultatet të jenë publikuar, Vrapi ka deklaruar se në datën 1 korrik 2020 QSHA do të fillojë procesin e printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza.
Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve.
/a.r