Anëtari i PD Gazmend Koduzi ka zhvilluar një debat me mjekun infeksionist Dritan Ulqinaku.
Koduzi hodhi akuza në drejtim të qeverisë, duke thënë se ka bërë një menaxhim të dobët të situatës së pandemisë dhe se nuk ka treguar të vërtetën për numrin real të të vdekurve dhe të të infektuarve me Covid-19. Ai tha se nuk është aktivizuar sic duhet edhe shërbimi i mjekut të familjes.
Mjeku Ulqinaku nga ana e tij tha se qeveria ka spostuar mjekun e familjes, pasi ekzisonte rreziku për një infektim të vetë mjekëve por edhe të të moshuarve, pasi do mbanin radhë.
Gazmend Koduzi: Qeveria shqiptare ishte e papërgatitur të mbulojë situatën. Dihet skandali i maskave të skaduara. Nuk dihej sa kite janë, nuk kishte asnjë transparencë. Menaxhimi ka qenë i dobët. Nuk janë bërë më shumë se 269 testime në ditë. Pra janë bërë pak teste, që të mos dalë e vërteta në shesh.
Dritan Ulqinaku: Në të gjithë botën sigurisht që mund të ketë më shumë të sëmurë nga shifrat zyrtare. Edhe Shqipëria brenda kësaj bote është.
Gazmend Koduzi: Numrat kanë rëndësi sepse mund të bëjmë më shumë nga mjekësia kur kemi më shumë numra. Në bazë të numrave vendoset nëse ka apo jo epidemi. Testet kanë rëndësi, sepse nëse nuk kap hallkën e parë, të humbet gjithë puna. Një nga gabimet e menaxhimit të situatës ka qenë mungesa e mjekut të familjes.
Në Shqipëri ka shumë mjekë familje dhe mënyra më e mirë do të ishte që një person që dyshon që ka Covid-19, merr mjekun e familjes dhe është ky i fundit që merr numrin e emergjencës.
Dritan Ulqinaku: Ne i spostuam mjekët e familjes me kujdes. Kjo sepse duhej të mbroheshin bluzat e bardha dhe po ashtu që të moshuarit të mos rrinë afër me njëri tjetrin në radhë, sepse kishte mundësi të përhapej Covid-19.
Por, sërish kemi thënë se mjeku i familjes mund të ishte opsion i rëndësishëm për këtë rast. Cdokush që ishte shumë sëmurë, mund të merrte e merr në telefon mjekun e familjes e të kërkonte ndihmë tek ai, duke u mjekuar me kujdes, duke respektuar kushtet e karantinës.