Nën kryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se qeveria ka dështuar me koronavirusin si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe ekonomik. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report TV, Spaho u shpreh se masat e vonuara u shoqëruan me veprime korruptive, referuar këtu tenderave të marra siç është ai i masave mbrojtëse dhe tenderit të ushqimit, për të cilat tha se SPAK ka nisur sot punën.
“Si rrjedhojë e karantinës, një pjesë e qytetarëve u detyruan që të lënë punën, e për rrjedhojë të humbin të ardhurat. Ekonomia ka pësuar goditje, por do vazhdojë ta marrë edhe në javët e ardhshme, se proceset ekonomike janë të njëpasnjëshme. Sa i takon shëndetësisë, ne kemi kryer një sërë denoncimesh, që strukturat dhe qeveria u gjetën pa përgatitur, e morën shumë lehtë, kemi denoncuar shumë tendera, masat duheshin marrë me kohë, çmimet e mallrave që u prokuruan ishin shumë më të larta se në tregun ndërkombëtar. Janë raste korruptive, unë kontrollova maska profesionale në internet, ishte dhe vazhdon të mbetet 4 dollarë copa, ne i kemi marrë me 8 euro copa. SPAK ka nisur punën për tenderat e shëndetësisë dhe blerjen e dy ushqimeve. S’kishin asnjë transparencë”, tha Spaho.
Ndalur te numri i ulët i të infektuarve, Spaho, njëjtë si pjesa tjetër e demokratëve e sheh si një tregues që janë bërë pak teste.
“Numri i testeve, dhe kjo vjen nga përgatitja dhe dëshira për të mbajtur në kontroll. Po nuk testove nuk do i kapësh të gjitha rastet. Kur momenti ishte delikat si në Krujë, 10% e atyre që u testuan rezultuan pozitiv. Duan ta kontrollojnë procesi, që të mos evidentohen anët negative, që ne i kemi evidentuar që në fillim”, shtoi Spaho. Me argumentin se qeveria po mbështet oligarkët, dhe jo qytetarët, Spaho tha se koncesionet duhen anuluar, jo pezulluar.
“Koncesioni i rrugës Milot-Balldren, rruga e lumit të Vlorës, apo investime të tjera të parashikuara në kushtet e normaliteti duhet anuluar dhe të jepeshin fonde shtesë për nevojat e qytetarëve. Janë me mijëra qytetarë që punojnë në të zezë. Ndihma ekonomike është sa për të mbajtur frymën gjallë. Koncesionet nuk duhen pezulluar, por anuluar. Check up është pezulluar se abuzimi do ishte skandaloz. Nëse do u jepni para kur qytetarët ishin të karantinuar, atëherë do ishte skandaloze”, përfundoi Spaho.