Në kushtet e pandemisë Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë kremton Festën Kombëtare, Ditën e Kushtetutës së 3 Majit, pranë liqenit të Farkës, pikërisht atje ku dy vjet më parë, më 4 maj 2018, me pjesëmarrje të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Zotit Ilir Meta, inauguroi „Parkun Polonia” që numëron simbolikisht 100 lisa në 100 vjetorin e rifitimit të Pavarësisë së Polonisë.
Ditën e sotme Ambasadori Karol Bachura, në shoqërinë e përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, zbuloi pllakën në mermer „Parku Polonia”, të cilën e bekoi famullitari i kishës Shën Gjon Pali II në Bathore, atë Andrzej Michoń.
„Në rrethana normale do ta kishim festuar këtë ditë me miq të shumtë. Për shkak të pandemisë dhe ndalimit të grumbullimeve e kemi të pamundur organizimin e pritjes tradicionale, të ndonjë koncerti apo ekspozite. Festa Kombëtare gjithsesi na obligon ta kujtojmë këtë ditë, qoftë edhe simbolikisht me pak njerëz. Prandaj 229 vjetorin e hartimit në Poloni të Kushtetutës së 3 Majit- të parit ligj themeltar në Evropë dhe të dytit në botë- e kremtojmë pikërisht këtu në Farkë. Dita e Kushtetutës është festë e demokracisë, sepse çdo ligj themeltar përbën mushkërinë e demokracisë- shprehet me këtë rast Ambasadori Bachura.
Ambasada polake në Tiranë dy vite më parë iu bashkua aktivisht aksionit të Bashkisë së kryeqytetit për mbjelljen e pemëve. Pas dy vjetësh nga mbjellja pothuaj të gjithë lisat mbahen shumë mirë. Çdo pemë, përfshirë edhe lisat e “Parkut Polonia”, është respirator natyral që pastron ajrin që e kemi kaq të domosdoshëm për jetën- thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës polake në Tiranë.
Referuar më tej ecurisë së luftës me COVID-19 në Shqipëri, Ambasadori Bachura vlerëson lart punën e personelit shëndetësor, të autoriteteve si dhe reagimin e shoqërisë shqiptare duke siguruar njëkohësisht shqiptarët se në të mirë e në të keq Polakët do të jetë gjithmonë krah tyre, qoftë në kohë kataklizmash natyrore, qoftë të pandemive mbarëbotërore, si aleatë në NATO, ashtu edhe si mbështetës në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Solidarë me popullin shqiptar, i urojmë atij qëndresë, guxim, shpresë të pashuar dhe takim sa më të shpejtë nën degët qetësuese, që japin hije dhe mbrojtje, të lisave polakë të „Parkut Polonia”, tek i cili ju ftojmë përzemërsisht pas heqjes së kufizimeve për shkak të pandemisë- përfundon njoftimi për shtyp i Ambasadës polake lëshuar me rastin e Festës Kombëtare- Kushtetutës së 3 Majit.