“Unë besoj që Vlora gradualisht po bëhet gati sepse masat po lehtësohen dita-ditës. Epidemia ka një ritëm gradual por ulës në vijimësi, ndërkohë Vlora nesër shpallet zonë e gjelbër dhe është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Ka 3-4 javë pa asnjë rast të ri, kështu që në qoftë se ju e konsideroni një mesazh të tillë, le të jetë ky i afrimit të turizmit për Vlorën. Pse jo?!”. Kështu shprehet mjeku Pëllumb Pipero, i cili prej 2 muajsh ka qenë një nga zërat më të fortë informues sa i takon pandemisë së koronavirusit.
Ai ka qenë Vlorë për arsye profesionale por edhe personale dhe ka folur për gazetarët. Pipero ka sqaruar se megjithëse situata është e qetë, nuk duhet të ketë rënie të vigjilencës dhe kujdesit, duke treguar masat që duhet të respektojë çdo qytetar.
“Situata është shumë e qetë. Epidemia ka një ritëm rënës, ulje të qëndrueshme. Edhe sa i takon numrit të rasteve të shtruara, që po shtrohen në spital që janë 2-3 në ditë, herë pa asnjë rast fare, edhe sa i takon numrit të rasteve të reja pozitivë që dita e fundit e ka qenë 9, 7, 6 sot. Lajmi i mirë është që numri i rasteve të shëruara shtohet nga dita në ditë, tashmë kemi më shumë se gjysmën e personave të prekur të shëruar. Situata është mjaft e qetë por kjo qetësi nuk duhet të na ulë as vigjilencën, nuk duhet të na vërë as në gjumë, nuk duhet të na ulë as kujdesin. Ende virusi qarkullon, pavarësisht se me ritëm të ulët dhe ndofta edhe me virulencë të ulët por ende qarkullon. Sa kohë virusi qarkullon neve duhet që medoemos të respektojmë ato masa të rëndësishme shumë për këtë fazë të dytë që është faza e hapjes graduale por e qëndrueshme. Do të thotë që ende duhet të kemi kujdes, sidomos në vende publike. Qytetarët të ruajnë distancën fizike, të vendosin një maskë, ata që shërbejnë të kenë maska e doreza, higjiena e duarve, larja sa më shpesh, janë disa masa që duhet t’i respektojmë në vijimësi”, tha Pipero.
Sipas tij, hapja rajonale është një hapje e rekomanduar edhe nga OBSH-ja por edhe strategjitë e vendeve të tjera. “Hapja rajonale, atje ku kemi 2-3 javë pa qarkullim virusi nuk duhet të kemi frikë. Pra të lejohet qarkullimi i njerëzve, automjeteve pse jo, hapja e lokaleve. Normalisht sipas udhëzimeve. Kujdesi është të ruajmë një lloj distance fizike. Të mos bëhemi grumbull, të mos jemi më shumë se 2 veta mundësisht, të ruajmë një distancë 1 -1.5 metër. Kur hyjmë në mjedise publike të vendosim një maskë, të tregojmë kujdes për duart, t’i lajmë sa më shpesh. Të ecim, të ekspozohemi në diell është një gjë shumë e mirë, të pimë lëngje sa më shumë. Por distancomi fizik është i nevojshëm për sa kohë virusi qarkullon”, deklaroi mjeku i njohur.
Por çfarë e ka favorizuar Vlorën? Pipero përmend disa arsye, duke mos harruar bujarinë e Zotit.
“Ekipet e mjekëve epidemiologë dhe specialistëve kanë bërë një punë të mrekullueshme në gjithë vendin. Strategjia e gjurmimit të kontakteve ka qenë efikas, monitorimi adekuat i situatës, izolimi i shpejtë i rasteve me klinikë dhe i kontakteve, kanë mundësuar që të izolohet shumë shpejt çdo rast i ri i konstatuar në Vlorë. Ky ka qenë çelësi i suksesit mendoj unë dhe nga ana tjetër besoj që ndryshe nga sa jemi mësuar që vlonjatët janë pak popull rebel, besoj fort që qytetarët e Vlorës kanë respektuar në mënyrë optimale udhëzimet apo urdhrat e qeverisë, i kanë respektuar normat e distancimit social, këshillat që kemi dhënë ne dhe ndoshta është dhe pak dhuratë e Zotit, fat”, tha ai.
I pyetur se përse ka shkuar në Vlorë, Pipero ka treguar arsyet.
“Pse kam ardhur në Vlorë është pyetje pak e vështirë. Kisha një konsultë me një kolegun tim mjek, për një rast që nuk kishte lidhje me COVID por për një sëmundje tjetër, meqë nuk kishin mundësi ta sillnin në Tiranë, erdha e konsultova këtu. Dhe shfrytëzova rastin të shfrytëzoj diellin, po të shikoj dhe qytetarët e relaksuar të Vlorës, por t’ju takoj dhe juve me këtë rast”, u shpreh Pipero.
/e.rr