Drejtuesja e emisionit “Open”, gazetarja Eni Vasili i ka drejtuar një letër të hapur Kryeministrit, Edi Rama, të cilin i ka kërkuar publikisht të “çliroje” studiot televizive nga kufizimi i të ftuarve.
Ditën e sotme, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) paralajmëroi emisionin “Open” për shkeljen e vendimit të Qeverisë, pasi kishte më shumë se dy persona të ftuar në studio. Por AMA për këtë shkelje nuk e ka finalizuar në gjobë.
Lidhur me këtë paralajmërim, gazetarja Vasili kërkon që ashtu si pjesa tjetër e bizneseve apo aktiviteteve që po liberalizohen, e njëjta gjë të behet edhe për mediat.
Eni Vasili ka kujtuar dhe rastin e mjekut të njohur, Rolnad Xhaxho, të cilin e kishte të ftuar në studio, para se ai të zbulonte se ishte i prekur nga COVID-19.
“E ndërsa ekonomia po rihapet e lëvizja po liberalizohet, mbajtja në izolim e studiove televizive, nuk i shërben më askujt. Një gazetar në studio është njësoj i rrezikuar me një apo me tre persona prezentë aty. Mua personalisht do të kishte mjaftuar për të më infektuar mjeku Roland Xhaxho i cili sigurisht nuk e dinte që ishte i virusuar kur erdhi në Open. Fakti tregoi që doktor Xhaxho nuk na infektoi, as mua dhe as stafin e Open i cili pati kontakte me të ato ditë.
Studiot janë hapësira të mëdha të cilat ia kalojnë çdo supermarketi ku gëlojnë njerëzit, janë po aq të mëdha në metra katrorë sa një fasoneri, me ndryshimin e vetëm se brenda nuk ka më shumë se 5 -6 njerëz dhe jo 600. Madje studio e Open është thuajse po aq e madhe sa salla e Parlamentit!”, thekson Vasili
LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT RAMA
NGA ENI VASILI
I nderuar zoti Kryeministër! Të hënën e ardhshme bëhen plot 9 javë nga 9 marsi, dita kur në Shqipëri u zbuluan dy rastet e para me Covid-19. Këto 9 javë të gjata sa 9 muaj, gjeneruan realitete të reja për shumëkënd nga ne, realitete prej të cilave ndoshta nuk do shpëtojmë për një kohë të gjatë. Nuk do ndahemi dot shpejt as nga frika se një xhest i shpenguar mund të na sëmurë apo se një përqafim mund te jetë një mallkim.
Në këto 50 ditë e më shumë, mësuam të sakrifikojmë ndryshe, të mos i trembemi frikës tonë e t’i mbijetojmë pasigurisë.
Falenderimet dhe përulja e plotë, nuk do mjaftojë asnjëherë për mjekët, infermierët, sanitarët dhe forcat e rendit, por këto javë të jashtëzakonshme eksperience njerëzore të betejës për jetën, nuk do ishin fituar pa mediat dhe studiot televizive, të cilat i bënë bashkë të gjithë në ditët më të errëta, ku vdekja dhe terrori prej saj, bënin hije mbi kokat tona.
Së bashku mësuam nga e para si të lajmë duart, si të teshtijmë, por mbi të gjitha si t’i japim forcë njëri tjetrit. Këtë e bënë qindra shqiptarë të jashtëzakonshëm, mjekë por jo vetëm, anembanë botës të cilët vrapuan në dritaret mbi “banaqe”, të ndanin informacion, eksperiencë dhe solidaritet. E bënë doktorët e infektivit që na shpjeguan me durim gjithçka dinin e mësonin dhe ata vetë ditë pas dite, e bënë ata gazetarë që nuk u tërhoqën në skuta të ngrohta shtëpish, por qëndruan në detyrë plot dinjitet dhe shqetësim për veten dhe të tjerët.
E ndërsa ekonomia po rihapet e lëvizja po liberalizohet, mbajtja në izolim e studiove televizive, nuk i shërben më askujt. Një gazetar në studio është njësoj i rrezikuar me një apo me tre persona prezentë aty. Mua personalisht do të kishte mjaftuar për të më infektuar mjeku Roland Xhaxho i cili sigurisht nuk e dinte që ishte i virusuar kur erdhi në Open. Fakti tregoi që doktor Xhaxho nuk na infektoi, as mua dhe as stafin e Open i cili pati kontakte me të ato ditë.
Studiot janë hapësira të mëdha të cilat ia kalojnë çdo supermarketi ku gëlojnë njerëzit, janë po aq të mëdha në metra katrorë sa një fasoneri, me ndryshimin e vetëm se brenda nuk ka më shumë se 5 -6 njerëz dhe jo 600. Madje studio e Open është thuajse po aq e madhe sa salla e Parlamentit!
Nuk është një kërkesë luksi dhe as një shkujdesje, sepse jam e përgjegjshme për rreziqet për veten dhe të tjerët. Por shërbimi që mund t’i bëjmë opinionit dhe debatit publik duke rifilluar jetën normale në studio, është më i madh se preokupimi për veten. Teknologjia na ndihmoi në kohën e emergjencës, por vështirësitë e lidhjeve me internet, e kanë lodhur me të drejtë teleshikuesin.
Dritaret e vogla te skype ose zoom, jo gjithmonë arrijnë teknikisht të përcjellin mesazhin tek teleshikuesit dhe koha e përqendrimit shkurtohet gjithmonë e më shumë. Publikut duhet t’i kthehet e drejta e debatit publik dhe studiove televizive duhet tu kthehet liria! #jetodhefolilir
Me ke do bisedoni me Andin e bllokut