Detyra e qeverisë është të mbrojë qytetarët. Pandemia ka treguar se institucionet kyçe në Europë dhe SHBA nuk po e bëjnë siç duhet punën e tyre, shkruan Bloomberg.
Në vitin 1651, një studiues i cili kishte pranuar publikisht haptazi se “unë dhe frika jemi binjakë”, botoi një nga librat më të shkëlqyer mbi qeverinë. Thomas Hobbes,i kishte mbijetuar Luftës Civile të përgjakshme angleze duke u arratisur në Francë – dhe shqetësimi i tij i madh filozofik ishte pikërisht siguria personale. Ai vërejti se jeta në një gjendje natyrore ishte “e vetmuar, e varfër, e keqe, e egër dhe e shkurtër” sepse njerëzit luftonin gjithmonë.
Prandaj, ai argumentoi se qytetarët duhet t’ia linin në dorë liritë e tyre një sundimtari, i cili mund t’u ofronte mbrojtje. Legjitimiteti i shtetit varej nga përmbushja e kësaj kontrate dhe mundësimi i sigurisë së qytetarëve, një ide revolucionare në një kohë kur mbretërit, si ish-nxënësi i tij Çarli II, pretendonin se pushteti i tyre vinte nga e drejta hyjnore. Për Hobbes, i cili gjithashtu arriti t’i mbijetonte Murtajës së Madhe në periudhën 1665-‘66 dhe vdiq në vitin 1691, kontrata jonë me “Leviatanin”, siç e titulloi librin, varej nga aftësia e tij për të na mbajtur të sigurt.
Nëse Hobbes do të ishte gjallë sot, ai do të ndiente se kishte pasur gjithnjë të drejtë. Tashmë, në mbarë botën sundon frika dhe për t’u mbrojtur nga ky virus i tmerrshëm, ne po i dorëzojmë vullnetarisht Leviatanit të drejtat tona themelore, madje edhe lirinë për të dalë nga shtëpia.
Pandemia COVID-19 e ka bërë qeverinë përsëri të rëndësishme. Jo thjesht të fuqishme (tashmë kompanitë e mëdha dikur të fuqishme po i kërkojnë ndihmë qeverisë), por edhe shumë të rëndësishme: është themelore nëse shteti juaj ka një shërbim të mirë shëndetësor, burokratë të aftë dhe financa të shëndosha. Qeverisja e mirë bën diferencën midis jetës dhe vdekjes.
Që nga koha e Hobbes, bota ka kryer një cikël të plotë. Kur ai shkroi “Leviatanin”, Kina dhe jo Europa konsiderohej si qendra e përsosmërisë administrative. Kina ishte vendi më i fuqishëm në botë me qytetin më të madh në botë (Pekini kishte më shumë se një milion banorë), marinën më të fuqishme dhe shërbimin civil më të sofistikuar në botë, me studiues mandarinë të cilët përzgjidheshin nëpërmjet provave të rrepta.
Europa ishte një fushëbetejë e përgjakshme e sunduar nga familje rivale feudale, ku punët qeveritare përcaktoheshin që në lindje ose bliheshin si mallra. Gradualisht komb-shtetet e reja të Europës ia kaluan Mbretërisë së Mesme sepse përjetuan një sërë revolucionesh të nxitura nga rivalitetet kombëtare dhe idetë politike – midis të tjerave edhe idetë e Hobbes. Duke përsosur artin e të qeverisurit (madje edhe duke kopjuar “mandarinët” e Kinës), Perëndimi mbizotëroi botën për 400 vjet.
Avantazhi qeveritar i Perëndimit tashmë është vënë në diskutim
Pyesni veten nëse do të ndiheshit më të sigurt po të jetonit në Nju Jork ose Londër, apo në Singapor ose Seul? Azia po e arrin Perëndimin dhe disa vende të vogla madje ia kanë kaluar, kryesisht ngaqë Azia konfuciane e ka marrë veçanërisht seriozisht qeverinë gjatë dekadave të fundit, ndërsa Perëndimi e ka lejuar atë të ngecë në vend.
Sektori publik në Perëndim ka ngelur dekada mbrapa sektorit të tij privat, për sa i përket efikasitetit dhe dinamizmit.
Lenini dikur ka thënë se “ka kohë, kur mund të kalojnë disa dekada pa ndodhur gjë dhe kohë të tjera kur brenda disa javësh ndodhin aq shumë gjëra sa kanë ndodhur për disa dekada”. Kriza e koronavirusit është pikërisht një ngjarje e tillë që e përshpejton historinë.
Nëse qeveritë perëndimore reagojnë në mënyrë kreative ndaj krizës, do të kenë mundësinë të kthejnë mbrapsht dekada të tëra rënieje; por nëse ngurrojnë dhe vonohen ndërkohë që Azia vazhdon të përparojë, do të rritet pa dyshim perspektiva e një rendi të ri botëror, ku do të mbizotërojë Lindja.
Në vitin 2014, ne botuam një libër mbi shtetin, me titull “Revolucioni i Katërt: Gara globale për të rikrijuar shtetin”.
Duke e rishikuar tashmë përmes lenteve të COVID-19, kishim të drejtë në diçka të rëndësishme dhe gabuam në diçka tjetër. Argumentuam saktë se qeveria ishte një burim mjaft i rëndësishëm i avantazhit konkurrues dhe se Perëndimi po ngelte mbrapa. Por gabuam kur besuam se vendet perëndimore do t’i përgjigjeshin ngritjes së Kinës duke modernizuar qeveritë e tyre, duke lënë mënjanë grindjet e vogla dhe duke imituar modelin e vendeve si Singapori.
Në fakt, e vetmja gjë që mund të thuhet se ka bërë Perëndimi për të përballuar krizën është nacionalizimi i qeverisë së madhe, një shembull i ndjekur midis të tjerëve edhe nga kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump. Në Europën Kontinentale, nuk ka pasur ndonjë ndryshim: Bashkimi Europian i ka mbijetuar krizës së euros dhe Brexit-it pa ndonjë përpjekje serioze për vetëpërmirësim.
A do të nxisë ndryshim kriza e COVID-19?
Në një pamje të parë, shenjat nuk duken të mira. Kudo ku hedhim sytë, Leviatanët tanë ndodhen në një gjendje të vështirë – të mbingarkuar dhe joefikasë, të nxitur nga paniku dhe jo nga planifikimi i kujdesshëm. Spitalet arritën kapacitetin me një shpejtësi të frikshme: Në Nju Jork, epiqendrën e kapitalizmit global, mjekët vënë syze për ski në vend të maskave, dhe infermierët veshin qese mbeturinash në vend të veshjeve mbrojtëse.
BE humbi ditë të tëra duke debatuar se çfarë duhej të bënte dhe si zakonisht, u shpëtua nga Banka Qendrore Europiane nëpërmjet shtypjes së parave. Në Hungari dhe Poloni, udhëheqësit joliberalë janë përpjekur të përfitojnë nga situata për të rrëmbyer më shumë pushtet. Në të gjithë Perëndimin, testet që do të na lejonin të zbulojmë kush e ka kaluar virusin nuk janë të mjaftueshëm në numër.
Por po të shohim më afër, do të dallojmë edhe shenja pozitive. Vende që e kanë rimodeluar qeverinë, si Danimarka, ose që kanë vlerësuar traditat e qeverisjes së mirë, si Gjermania, po e përballojnë virusin, jo vetëm më mirë se vende të tjera perëndimore që nuk kanë bërë një punë të kënaqshme, si SHBA dhe Italia, por edhe më mirë se shtete autoritare si Kina. Trysnia e pandemisë po prodhon risi premtuese, por edhe konfuzion të çrregullt. Perëndimi zotëron teknologjinë, ekspertizën menaxheriale dhe traditën liberale për të rikrijuar shtetin. Tani ka arsye më të forta se kurrë për ta realizuar atë. Në të shkuarën, kjo zakonisht ka funksionuar.
Tre revolucionet e mëdha
Historikisht, qeverisja perëndimore ka kaluar të paktën tre revolucione të mëdha, të nxitur nga ide të reja, teknologji të reja dhe kërcënime të reja.
-Revolucioni i parë, një nga frymëzuesit e të cilit qe edhe Hobbes, ishte krijimi i shtetit konkurrues. Monarkitë e Europës vendosën rendin mbi baronët e tyre feudalë, ndërkohë që luftonin njëkohësisht me njëri-tjetrin për epërsi jashtë vendit. Në të vërtetë, ishte pikërisht lufta për mbizotërim në Europë që e shtyu përpara qeverisjen perëndimore: monarkitë e Europës investuan në risitë teknologjike – sidomos në prodhimin e anijeve dhe armëve të reja – për të rritur shanset e tyre të mbijetesës. Kur kinezët shpikën barutin, ata e përdorën për fishekzjarrë; ndërsa europianët e përdorën për të hedhur në erë njëri-tjetrin (dhe pastaj kinezët).
-Revolucioni i dytë ndodhi në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Mendimtarë si Adam Smith dhe John Stuart Mill në Britani apo Thomas Jefferson dhe James Madison në Amerikë, argumentuan se privilegji i korruptuar monarkik, duhej t’i hapte rrugë efikasitetit liberal. Teknologjitë e reja si hekurudha dhe më vonë telegrami, i lejuan shtetit të bënte më shumë, me më pak përpjekje. Liberalët britanikë ishin veçanërisht të efektshëm:
Të ardhurat bruto nga të gjitha format e taksave ranë nga rreth 80 milionë paund në vitin 1816, në nën 60 milionë paund në vitin 1846, edhe pse viktorianët ndërtuan shkolla, spitale dhe kanalizime që Britania i përdor ende në ditët e sotme. Liberalët gjithashtu pastruan sistemin duke hequr qafe njerëzit e tepërt, duke pushuar të paaftët, duke e bazuar shërbimin civil në meritë dhe duke shfuqizuar blerjen e komisioneve në ushtri. Kështu, një qeveri e vogël në një ishull në det të hapur, arriti të mbizotëronte tre të katërtat e botës, qoftë nëpërmjet pushtimit, joshjes ose kolonizimit. Viktorianët, si kryeministri i madh liberal William Gladstone, besonin se ishte e mundur që qeveria të bëhej më e dobishme dhe e vogël në të njëjtën kohë – një ide që Perëndimi fatkeqësisht e ka humbur.
-Revolucioni i tretë filloi në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX – dhe hodhi themelet e shteteve të mirëqenies sociale që njeh tashmë Perëndimi. Nxitja sërish ishte nevoja për siguri, por kësaj radhe, kishte të bënte me sigurinë ndaj sëmundjeve, fatkeqësive natyrore dhe pabarazive, në vend të luftës civile dhe murtajës.
Revolucioni prodhoi krijime ambicioze si Shoqërinë e Madhe të Lindon Xhonsonit dhe demokracinë sociale europiane, por pikënisja e tij një shekull më parë ishte një kombinim i njohur forcash: teknologji të reja (prodhim masiv, motori me benzinë, elektrifikimi); ide të reja “të majta” për drejtësinë shoqërore (më radikalet ato të Karl Marksit, por në Perëndim të ndikuara nga intelektualë si Sidney dhe Beatrice Webb); dhe një kërcënim i ri konkurrues (një Gjermani e sapobashkuar dhe ambicioze). Në të vërtetë, figurat më konservatore, përfshirë Winston Churchill, mendonin se edukimi masiv dhe kujdesi shëndetësor ishin të nevojshme për të prodhuar një forcë luftarake të aftë për luftë moderne. “Nuk mund të drejtohet një perandori A1 me një popullsi C3”, deklaroi David Lloyd George, udhëheqësi i Britanisë në Luftën e Parë Botërore.
Deri në vitet 1960, shumë njerëz në Perëndim besonin se qeveria mund të siguronte edhe më tepër përfitime: Amerika synonte mbërritjen në hënë ndërsa Europa Kontinentale po rindërtohej. Njerëzit besonin se ekspertët mund t’i rregullonin gjërat. Por pas shkatërrimit të Vietnamit (gjë për të cilën u detyrohemi të ashtuquajturve “mendjendriturit” e Amerikës) dhe katastrofës së krizës energjetike, besimi në qeveri nisi të zbehej.
Politikëbërësit iu drejtuan mendimtarëve libertarianë, si F.A. Hayek dhe Milton Friedman, të cilët u besonin më tepër tregut sesa burokratëve të shkolluar për të rregulluar gjërat, dhe kishin argumentuar prej kohësh se njerëzit po dorëzonin shumë liri thjesht për disa përfitime margjinale në mirëqenie.
Në vitet 1980, këto ide krijuan një gjysmë revolucioni, kur Margaret Thatcher në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ronald Regan në SHBA, sfiduan shtetin e mirëqenies sociale. Disa pjesë të Leviatanit u privatizuan siç duhet, dhe taksat u shkurtuan. Por shifrat tregojnë se Leviatani thjesht kishte ndalur për të tretur ushqimin dhe nuk kishte nisur aspak një dietë. Në ditët e sotme, shteti konsumon rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Perëndim, krahasuar me 10% në fillim të shekullit XX. Shteti rregullator shpërtheu në të dyja anët e Atlantikut: Ju duhet një licencë për t’u bërë parukiere në Florida; në Bashkimin Europian, Brukseli ulet si një merimangë në një rrjetë burokracie.
Modeli i kompromisit i Perëndimit
Shteti perëndimor është model i një kompromisi të ngathët dhe aspak tërheqës. Njerëzit që paguajnë për të, mendojnë se merr më shumë se ç’duhet, ndërsa njerëzit që përdorin shërbimet e tij mendojnë se u jep shumë pak. Sa më shumë gjëra që premton të bëjë shteti, aq më shumë e mbingarkon veten; dhe sa më shumë që e mbingarkon veten, aq më shumë ne ankohemi.
Kur shteti ndërhyn në diçka, ne ankohemi; kur qëndron në vend dhe lejon që diçka të shkojë keq, ne ankohemi edhe më tepër. Dhe hendeku midis tij dhe sektorit privat më dinamik sa vjen e zgjerohet: Për shembull, produktiviteti në sektorin publik në Britani ra me 1% gjatë periudhës 1999 – 2010, në një kohë kur produktiviteti i sektorit privat u rrit me 14%.
Si e majta ashtu edhe e djathta, e kanë humbur rrugën e tyre. Megjithëse Fabianët origjinalë besonin në një shtet të madh, që gjithashtu mbante nën kontroll mësuesit me testime të rrepta dhe inspektime të pamëshirshme, politikanët e majtë modernë si Bernie Sanders në SHBA dhe Jeremy Corbyn në Mbretërinë e Bashkuar, janë më besnikë ndaj sindikatave të mësuesve sesa ndaj të varfërve që ata nuk edukojnë siç duhet. Ndërkohë, e djathta moderne ka tradhtuar Friedman dhe Hayek, duke derdhur para mbi Wall Street (në formën e “interesit të mbartur”, që në thelb është veçse një subvencion për kapitalin privat), teksa fshihet pas idesë se qeveria duhet të jetë sa më e vogël të jetë e mundur: nëse republikanët besojnë vërtet se qeveria minimale është zgjidhja, atëherë le të zhvendosen në Kongo, bashkë me interesin e tyre të mbartur.
Problemi kryesor që fshihet pas grindjeve ideologjike të qeverive perëndimore është i thjeshtë: modeli i tyre është i vjetruar. Nëse dëshironi një simbol të kësaj, mjafton të vëreni kalendarin shkollor amerikan, i cili ishte modeluar për t’u përshtatur me një ekonomi agrare, në një kohë kur fëmijët kishin nevojë për pushime të gjata verore, për të nxjerrë të korrurat.
Mendoni për të gjitha ndryshimet që ka pësuar nga ana tjetër sektori privat i Amerikës gjatë shekullit të kaluar: integrimi vertikal i ndjekur nga kontraktimi; hierarkitë e pjerrëta të ndjekura nga sheshimi; selitë në qiellgërvishtës të ndjekura nga kampuset periferike e më pas nga rikthimi në qytet. Mendoni për të gjitha kompanitë që janë krijuar dhe mbyllur në një vorbull të pafundme të shkatërrimit krijues. Dhe tani mendoni pak për Uashingtonin. Departamenti i Bujqësisë mbetet një gjigant, pavarësisht faktit se bujqësia përbën vetëm 2% të PBB-së.
Kjo situatë veçse i ka përkeqësuar gjërat. Makina e ndërlikuar qeveritare e Amerikës, bazuar në baraspeshën e pushtetit në Kongres, ka qenë e paralizuar nga njëanshmëria partiake. Me republikanët që nuk pranojnë të mblidhen më shumë para në taksa (as edhe një qindarkë më tepër!), dhe demokratët që refuzojnë të reformojnë përfitimet (as edhe një qindarkë më pak!), interesat që kanë synime gjithandej dhe debatet emocionale rreth abortit dhe transgjinizmit që nxisin tensione në të gjitha anët, rezultati është një dystopi qeveritare.
Burimet devijohen nga investimet e nevojshme, si rregullimi i rrugëve dhe urave, tek ato të panevojshme, si agjencitë që krijojnë shtetet për të rregulluar modelin e brendshëm. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, më pak se 1 në 5 amerikanë kanë besim se qeveria federale do të veprojë siç duhet, sa gjysma e shifrës në vitet 1980; në kohën e presidentit Xhonson, ky numër ishte 4 në 5 qytetarë.
Azia ka përqafuar të ardhmen
Ndërsa qeveritë perëndimore kanë degraduar, Azia ka përqafuar të ardhmen. Singapori ka qenë një udhëheqës në këtë drejtim. Një shtet-qytet që dikur ishte një moçal i varfër dhe një satrap kolonial, tani konsiderohet si shteti i vogël me qeverisjen më të mirë në botë. Banorët e Singaporit kanë shkolla dhe spitale shumë më të mira se ish-kolonizuesit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe standarde më të larta jetese.
Singapori nuk e ka arritur këtë duke shpenzuar shuma të mëdha parash – shpenzon më pak se 20% të PBB-së për qeverisjen – por duke menduar në mënyrë më kreative dhe duke vepruar me vendosmëri. Qeveria rekruton qytetarët e saj më të aftë, duke paguar pozicionet e rëndësishme me deri në 2 milion dollarë në vit, por gjithashtu eliminon performuesit e dobët. Ajo përdor një kombinim të testimeve të shpeshta dhe shpërblimeve të konsiderueshme për të nxitur shkollat. Studentëve të suksesshëm u ofrohen bursa falas në universitetet më të mira të botës, në këmbim të angazhimit për shërbime publike disavjeçare. Spitalet e Singaporit janë të shkëlqyera dhe me shërbim falas, por gjithashtu njerëzve u kërkohet të paguajnë një shumë të vogël për një vizitë mjekësore – për të ndaluar vizitat e bezdisshme që zakonisht mbingarkojnë shërbimet e tjera falas.
Singapori gjithashtu punon në mënyrë krijuese me sektorin privat. Qeveria orienton bizneset lokale në “zinxhirin e vlerës” – duke nisur së pari me prodhimin, më pas me shërbimet dhe tani me ekonominë e dijes, sidomos teknologjinë e informacionit dhe farmaceutikën. Ajo i detyron kompanitë globale të lokalizojnë aktivitetet e tyre me vlera më të larta në shtetin ishull.
Dhe, duke cenuar jashtëzakonisht lirinë individuale, ajo i detyron qytetarët të jetojnë në lagje etnikisht të përziera, për të parandaluar ndarjet që kanë shkatërruar shumë vende fqinje, dhe gjithashtu shtetasve u kërkohet të kursejnë një pjesë të të ardhurave për kujdesin e tyre shëndetësor dhe pensionin. Krijimi i Lee Kwan Yew është padyshim një shtet dado; po të krahasohet me Mbretërinë e Bashkuar ose SHBA-në, mund të përshkruhet si një dado më inteligjente, krijuese dhe kursimtare.
Po Kina? Ajo na ofron një pamje të përzier. Shumë pjesë të qeverisjes vendore janë jo transparente, të korruptuara dhe shtypëse. Përqendrimi i pushtetit në duart e presidentit Xi Jinping, duke arritur kulmin në vendimin e tij për ta shpallur veten udhëheqës për sa kohë që dëshiron, i ngjason më tepër feudalizmit sesa modernizmit. Zyrtarët kanë grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme. Disa nga përdorimet e teknologjisë – veçanërisht njohja e fytyrës – janë tepër shkelëse.
Por ekziston edhe një histori më mbresëlënëse, e cila anashkalohet. Zyrtarët më të shkolluar të Kinës po ndjekin modelin e Singaporit, duke u përpjekur të krijojnë një qeveri të klasit të parë, të udhëhequr nga një kastë elitare mandarinësh. Partia Komuniste është shndërruar në një departament gjigant të burimeve njerëzore që mban dosje të hollësishme për kuadrot në të gjithë vendin. Performanca është e dukshme: krerët e provincave, administratorët e universiteteve, menaxherët e fabrikave, burokratët lokalë, janë të gjithë – të paktën në teori – të punësuar në bazë të aftësisë së tyre për të arritur objektivat e qeverisë. Për momentin, qeverisja amerikane duket se ndodhet në një pozicion shumë të ndryshëm.
Dallimi mes Azisë dhe Perëndimit në luftën ndaj Covid-19
Dallimi i performancës së Azisë dhe Perëndimit në luftën kundër koronavirusit, duhet të jetë një paralajmërim për Perëndimin. Shumica e masave më mbresëlënëse të qeverisë kanë qenë në Azinë Lindore dhe Juglindore. Ndërsa Perëndimi harxhonte kohë, Japonia, Hong-Kongu, Koreja e Jugut dhe Singapori zhvilluan testet për COVID-19, rritën prodhimin e materialeve të nevojshme për testet dhe vunë para në dispozicion që njerëzit të ishin në gjendje të paguanin për teste dhe trajtime.
Koreja e Jugut madje instaloi stenda në rrugët e Seulit, ku personat që kalonin mund të bënin teste të mundësuara nga punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët qëndronin të veshur me maska prapa një xhami mbrojtës. Fakti që, pasi kishte bërë gjithçka siç duhet, edhe Singapori u detyrua të impononte në 7 prill një karantinë, ose një “ndalim qarkullimi”, tregon sesa i ashpër është në të vërtetë virusi. Më pak se 10 njerëz kanë vdekur në Singapor.
Performanca e Kinës mund të renditet si “në përmirësim e sipër”. Nuk ka dyshim se ana e errët e qeverisë së saj luajti një rol të rëndësishëm në meselenë e tanishme që ka trazuar botën. Hamendësimi më i përhapur është se virusi lindi në tregjet e pakontrolluara të Wuhan-it, ku kafshët e gjalla, përfshirë lakuriqët e natës, ruheshin pranë ushqimeve të freskëta. Edhe nëse kjo teori del e gabuar, e vërteta është se sapo u shfaq virusi, zyrtarët lokalë në Wuhan, siç e kanë traditë shtetet policore, u përpoqën të heshtnin bartësit e lajmeve të këqija, në vend që t’i dëgjonin ato. Edhe teksa shkalla e katastrofës u bë më e dukshme, aparatet e Partisë Komuniste lëvizën shumë ngadalë. Prandaj shpesh kjo krizë referohet edhe si “Çernobili i Kinës”.
Sidoqoftë, pas fillimit të mbrapshtë, përpjekjet më të fundit të regjimit për të luftuar virusin kanë qenë mjaft mbresëlënëse. Kina urdhëroi ndalimin e udhëtimeve brenda vendit dhe karantinimin në masë. Presidenti Shi doli në krye të përpjekjes kombëtare dhe madje vizitoi Wuhan-in duke mbajtur maskë. Pavarësisht fshehtësisë në fillim dhe dështimit për të ndaluar udhëtimet jashtë vendit, Kina ka ndarë informacione në lidhje me përvojën e saj me dhjetëra vende dhe ka dërguar pajisje mjekësore.
Në Itali mbërritën maska të paketuara në kuti ku ishin shtypur tekstet e operave italiane dhe në Hungari u dërguan kuti me shkrimin “Go Hungary”, parulla e parapëlqyer e kryeministrit hungarez Viktor Orban. “Situata që unë shoh mund të përshkruhet kështu”, deklaroi Orban në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror kinez, “Në Perëndim, ka mungesa praktikisht në gjithçka. Prandaj kemi nevojë për ndihmë nga Lindja”. Pavarësisht dyshimeve në lidhje me numrin e vërtetë të rasteve në vend, ka një shans të mirë që ‘Çernobili’ i Kinës të kthehet në një fitore për fuqinë e butë të shtetit – në kontrast me performancën e Amerikës.
Askush nuk do ta përshkruante përgjigjen ndaj virusit si një sukses për fuqinë e butë perëndimore. Disa vende europiane kanë performuar mirë. Gjermania, ku besimi në qeveri është në të njëjtat nivele të larta si në Korenë e Jugut dhe Singapor, ka qenë e suksesshme në prodhimin në masë të testeve, duke i përdorur ato për të ngadalësuar shkallën e vdekjeve. Deri në fund të marsit, vendi kishte testuar një milion njerëz: Në Bavari, 11,000 nga 13,000 testet që bëhen çdo ditë, realizohen në laboratorë privatë.
Por shumica e vendeve të Europës u gjendën të papërgatitura: Italia harxhoi ditë të tëra me debate partiake, ku partia nacionaliste e Lidhjes gjeti rastin për të fajësuar një anije me emigrantë afrikanë (sikur ata të kishin ardhur nga Wuhan). Qeveria britanike shtirej si të mos kishte ndodhur asgjë në një kohë kur Kina po niste izolimin, duke humbur shansin për të blerë teste dhe pajisje mbrojtëse në tregun global. Më pas ndërroi strategji, nga ajo e “imunitetit në masë”, në izolim.
Sipas përllogaritjeve, niveli i vdekjeve në Britani është 100 herë më i lartë se në Japoni. Në një kohë kur edhe kryeministri i vendit u shtrua në spital dhe testet më themelore për virusin nuk janë të mjaftueshme për të përballuar kërkesat, do të jetë e vështirë të bindësh botën se Britania e Madhe pas Brexit-it është një vend për t’u admiruar.
Sa për SHBA, udhëheqësi i botës së lirë është në një gjendje vërtet të mjerueshme – sidomos duke marrë parasysh muajt që kishte në dispozicion për t’u përgatitur pas paralajmërimeve. Cilado qofshin të mirat e stilit jo konvencional të lidershipit të presidentit Trump, ai ka qenë fare i papërshtatshëm për krizën e koronavirusit. Së pari, shpërfilli ekspertët dhe provat nga Azia dhe Italia, duke deklaruar se kriza do të mbaronte para Pashkëve, kur amerikanët do mblidheshin nëpër kisha për të falënderuar Zotin; pak më vonë, paralajmëroi se do të kishte me qindra mijë të vdekur.
Ndërkohë që udhëheqësit e tjerë i kanë përdorur konferencat e tyre mediatike për të informuar publikun me këshilla praktike, Trump është mburrur për nivelin e shikueshmërisë televizive, ka përhapur teori të ndryshme konspiracioni dhe ka deklaruar se mund t’i falë lirinë Joe Exotic, pronarit të një kopshti zoologjik privat, të burgosur për komplot për vrasje. Një president i zgjuar – apo më mirë të themi, çdo president tjetër! – do të mblidhte guvernatorët dhe do të kujdesej që agjencitë të punonin së bashku: ndërsa ky president vazhdon të sulmojë guvernatorët demokratë, ndërkohë që Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe këshilltarët e tij shkencorë, shpesh duket se janë në kontradiktë me të dhe njëri-tjetrin. Aftësitë udhëheqëse të Trump në politikën e jashtme, kanë qenë edhe më të dobëta, duke mos i njoftuar fare aleatët europianë për ndalimin e udhëtimeve dhe duke u përpjekur të fajësojë Kinën për gjithçka.
Por në të vërtetë, Amerika ka probleme të mëdha që shtrihen përtej Trump. Shumë nga institucionet kyçe qeveritare janë tashmë të vjetruara. Kjo është më e qartë se kudo në kujdesin shëndetësor. Sistemi më i shtrenjtë i kujdesit shëndetësor në botë, lë me miliona veta të braktisur, nuk ka një strukturë komanduese që mund të koordinohet në të gjitha shtetet, i kushton shumë pak rëndësi kujdesit parësor dhe tepër rëndësi mjekësisë së specializuar. Edhe kur më në fund u vunë para në dispozicion për të zgjidhur problemin, testet e COVID-19 ende janë të pamjaftueshme.
Atëherë, çfarë duhet të mësojmë nga kjo?
Dy mësimet më të zakonshme janë se autokracitë funksionojnë më mirë sesa demokracitë dhe se qeveria duhet të zgjerohet përgjithmonë për t’u përballur me krizat globale. Në favor të autokracisë mund të argumentohet se Kina në përgjithësi e ka përballuar më mirë krizën sesa SHBA dhe autokracitë dhe demokracitë kanë meritat e tyre relative. Në favor të qeverisë së madhe mund të argumentohet se ashtu siç luftërat kanë zgjeruar shumë rolin e shtetit në të kaluarën, ashtu edhe lufta kundër COVID-19 do ta zgjerojë atë që këtej e tutje. Sistemet shëndetësore të mbështetura nga qeveria do të zgjerohen për t’u përballur me kërcënimet e ardhshme. Qeverive do t’u duhet të drejtojnë pjesë të mëdha të ekonomisë.
Asnjë nga dy argumentet nuk është bindës. Ka demokraci me performancë të lartë dhe demokraci me performancë të ulët, ashtu siç ka autokraci me performancë të lartë dhe autokraci me performancë të ulët. Kina autokratike performon më dobët se shtete demokratike si Koreja e Jugut, Tajvani, Gjermania dhe Danimarka.
Për sa u përket masave aktuale shtetërore nga demokracitë, ato duken pragmatike dhe të përkohshme: një kombinim i menaxhimit të kërkesës kejnsianiste për të forcuar ekonominë, ndërhyrje të përkohshme për të parandaluar shembjen e industrive të cenueshme dhe të ardhura themelore për punëtorët që janë pushuar nga puna. Në vend që t’i hapë rrugën një epoke programesh ambicioze qeveritare, kriza mund edhe të nxisë një epokë tjetër shtrëngimi, veçanërisht pasi qeveritë tashmë në borxh si Italia, po përpiqen të mbajnë borxhin nën kontroll.
Mësimet më interesante që na jep kriza kanë të bëjnë me dy gjëra që rrallëherë diskutohen së bashku: efikasiteti i aparatit qeveritar dhe qëllimi i qeverisë në përgjithësi. Perëndimit i duhet një program për modernizimin e qeverisë, i shoqëruar nga një teori e re mbi qeverinë. Edhe nëse Perëndimi nuk do të nxjerrë më mendimtarë të mëdhenj si Hobbes apo Mill, ai mund të ristrukturojë punën e qeverisë duke e modernizuar atë nga epoka e vjetër bujqësore – duke e shfrytëzuar teknologjinë në mënyrë më efektive, duke mësuar nga praktikat më të mira në sektorët publikë dhe privatë në të gjithë botën, dhe duke hequr qafe përfundimisht privilegjet e vjetruara.
Marrim për shembull teknologjinë.
Është e dukshme se shumica e vendeve që e kanë përballuar më mirë virusin janë ato që e përdorin më mirë teknologjinë – veçanërisht telefonat celularë. Qeveria e Koresë së Jugut i njofton qytetarët e saj me një SMS në rast se largohen nga zonat e tyre lokale (ata që nuk mbajnë me vete celular gjobiten). Ministria e Shëndetësisë së Singaporit ka hartuar një aplikacion që mund të identifikojë kontaktet e ngushta të njerëzve të prekur me COVID-19. Qeveria izraelite ka autorizuar Shin Bet, shërbimin e brendshëm të sigurisë dhe policinë që të aksesojnë celularët e të gjithë atyre që dyshohet se mbartin virusin.
Sigurisht, të gjitha këto masa vënë në pikëpyetje lirinë personale të njerëzve pas krizës së koronavirusit. Por për momentin ato duket se janë të justifikueshme, edhe sipas teorisë së Hobbes. Në fund të fundit, nuk duket e paarsyeshme t’u kërkosh njerëzve të bëjnë ndaj qeverisë të njëjtat lëshime në këmbim të rritjes së nivelit të sigurisë, që ata ua bëjnë edhe kompanive private në këmbim të lehtësive dixhitale, natyrisht, me kusht që këto lëshime të jenë të përkohshme.
Edhe aplikacioni i vëzhgimit në Singapor është modeluar për të skaduar automatikisht për gjashtë muaj, për të respektuar privatësinë e individit. Kur përhapja e virusit të fillojë të ulet, qeveritë mund të ofrojnë marrëveshje duke i lejuar njerëzit të dalin nga izolimi nëse pranojnë një shkallë të caktuar monitorimi; shumë njerëz të hedhur që nuk durojnë më të qëndrojnë të mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë me familjet e tyre, mund të dorëzohen dhe të pranojnë.
Veçoria tjetër e përbashkët e qeverive që kanë reaguar mirë ndaj krizës është dëshira për të mësuar nga njëra-tjetra dhe nga e kaluara. Vende si Koreja e Jugut, Tajvani dhe Singapori studiuan virusin SARS dhe gripin H1N1. Ato reaguan me shpejtësi ndaj koronavirusit duke mbyllur kufijtë, duke gjurmuar dhe duke izoluar rastet e dyshuara dhe duke publikuar rregullisht informacione të përditësuara.
Më 20 janar, kur Kina kishte raportuar vetëm disa raste, Tajvani rivendosi Qendrën e Komandës Epidemike, të krijuar për herë të parë pas përhapjes së virusit SARS dhe menjëherë urdhëroi ushtrinë për të filluar prodhimin e pajisjeve mbrojtëse. Danimarka nuk reagoi shumë ashpër, por veproi mjaft shpejt. Nga ana tjetër, shumica e vendeve europiane dhe SHBA, megjithëse kishin shumë më tepër kohë në dispozicion, nuk morën mundimin për të vëzhguar se çfarë funksionon dhe ta imitojnë atë.
Kjo është vërtet emblematike. Dështimi më i madh në sektorin publik të Perëndimit ka qenë pikërisht dështimi i tij për të kopjuar suksesin. Në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut ekzistojnë shumë modele të qeverive cilësore. Nëse kërkoni një mënyrë të zgjuar për të reformuar sistemin e pensioneve, shihni shembullin e vendeve skandinave ose Kilit. Nëse doni të pajisni të rinjtë me aftësim profesional, shikoni shembullin e Gjermanisë.
Në sektorin privat, “praktika më e mirë” përhapet me shpejtësi sepse kompanitë që mësojnë nga më të mirat mbijetojnë dhe ato që refuzojnë, humbasin. “Kërcënimi japonez” i viteve 1980 u mposht sepse kompanitë perëndimore mësuan si të kopjonin prodhimin “në kohë” dhe prodhimin “pa shpërdorim”. Por, në sektorin publik, në sajë të kombinimit të vendeve të punës jetëgjata dhe shmangies së rrezikut, institucionet kanë ngecur me metodat e tyre të vjetra. Britanikët kanë diskutuar për kopjimin e sistemit të trajnimit teknik të Gjermanisë që nga koha e princit Albert. Amerikanët shqyrtuan me kujdes reformat e shpërblimeve të Suedisë, por nuk patën vullnetin politik për të propozuar diçka të ngjashme në Kongres.
Pandemia mund të shkaktojë një shpërthim modernizimi. Qeveritë do të shtrydhen nga dy trysni kontradiktore. E para është trysnia për të përmirësuar dispozitat e tyre të mirëqenies sociale, veçanërisht sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të kujdesit shoqëror, në mënyrë që të përballojnë krizat e ardhshme. Tjetra është trysnia që të kontrollojnë shpenzimet pasi borxhi publik po rritet në nivele të paqëndrueshme.
Marrim shembullin e Italisë – që është ndoshta edhe sistemi i qeverisjes më pak i reformuar në Europë. Tani është e qartë se vendit i duhet një shërbim më i mirë shëndetësor, veçanërisht duke pasur parasysh moshën e popullsisë së tij. Por Italia është gjithashtu një nga vendet me borxhin më të lartë në botë. Do të vijë një pikë kur do të mbushet kupa: Italianët duhet të eliminojnë korrupsionet brenda sistemit të tyre dhe t’i ridrejtojnë paratë drejt njerëzve në nevojë.
Ose shohim shembullin e SHBA-së. Provat anekdotike tregojnë se mbase, për herë të parë në jetën e tyre, të pasurit e Amerikës më në fund janë ndërgjegjësuar për faktin sesa i mjeruar është kujdesi publik për të varfrit. Veshje mbrojtëse të sajuara vetë, maska të bëra me dorë, hapësira të përkohshme për varrosje: A ia vlen vërtet barra qiranë interesi i mbartur, apo shkurtimet absurde të taksave që mbështesin planet private të kujdesit shëndetësor, përballë padrejtësive të tilla?
Ironia e madhe është se një sistem më i mirë i shëndetit publik mund t’u kursejë para edhe amerikanëve të pasur. Gjashtë vjet më parë, ne argumentuam se do të kishte përfitime nëse qeveria do të merrte përsipër një pjesë më të madhe të kujdesit shëndetësor amerikan, jo vetëm për arsye morale të sigurimit të kujdesit mjekësor për të varfrit, por edhe mbi bazën e vlerës së parasë.
Perandoria e subvencioneve të fshehura të Amerikës, me të gjitha ndërlikimet absurde të sigurimeve dhe stimujve të gabuar, tregon se SHBA shpenzon një pjesë më të madhe të PBB-së së saj për shëndetin publik sesa Suedia “socialiste” – dhe kjo pa marrë parasysh koston e zbritjeve të taksave për kujdesin shëndetësor privat, të cilat u shpërndahen kompanive, nuk u jepen individëve (një tjetër shembull i vjetrimit të sistemit). Koronavirusi ka përforcuar argumentin se amerikanët do të kishin një kujdes më të mirë shëndetësor dhe do të paguanin më pak taksa, nëse do të kishin më tepër kujdes shëndetësor publik.
Në të vërtetë, kjo krizë duhet t’i shtyjë të gjitha demokracitë e Perëndimit të bëjnë disa pyetje të vështira. A duhet qeveritë t’u ofrojnë punonjësve të shtetit punë të përjetshme? A duhet të kufizojnë qasjen në profesionin e mësimdhënies vetëm për njerëzit me certifikata mësimore? Nëse konsultimet me video për mjekët dhe mësimet me video për shkollat kanë funksionuar kaq mirë gjatë krizës, pse të mos pranohen edhe në periudha normale? A duhet të marrin përsipër qeveritë pagat e universiteteve, si në pjesën më të madhe të Europës, për të parandaluar që arsimi i lartë të mos aksesohet vetëm nga të privilegjuarit?
A duhet qeveritë të zotërojnë hapësira të mëdha toke në kryeqytete, kur këto të fundit mund të shiten për të financuar spitalet? A duhet t’u mundësohen 60-vjeçarëve të privilegjuar udhëtime falas në metronë e Londrës dhe tarifa të subvencionuara për trenat në pjesën tjetër të vendit? A ka kuptim që SHBA të shpenzojë më tepër në lehtësimin e interesit të hipotekës për njerëzit e pasur sesa për të ofruar strehim të përballueshëm për më të varfrit?
Një kombinim i modernizimit dhe shkurtimeve mund t’i çojë reformat larg. Por këtu luan rol edhe ideologjia. Sado që të argumentojmë se për reformimin e kujdesit shëndetësor amerikan, mjafton modernizmi dhe ndjekja e praktikave më të mira, duhet të pranojmë se shumë amerikanë do të pretendojnë se kjo është një pyetje filozofike. Përgjigjja jonë është e thjeshtë: Le ta diskutojmë këtë çështje. Perëndimi ka nevojë të diskutojë pyetjen e madhe që shumica e vendeve e kanë shmangur që nga vitet 1980: Për çfarë shërben shteti?
Shteti të ofrojë mbrojtje për qytetarët
Kriza e COVID-19 na ka kujtuar se funksioni themelor i shtetit është ai që e përcaktoi edhe Hobbes në librin e tij “Leviatani”: të ofrojë mbrojtje për qytetarët. Sot kjo kërkon më tepër sesa të ndalen qytetarët egoistë që të vrasin njëri-tjetrin në “ndjekjen e pushtetit gjithnjë e më të madh që përfundon vetëm në vdekje”. Për të garantuar sigurinë në ditët e sotme duhet mundësuar kujdes shëndetësor dhe mirëqenie sociale. Shprehja “imunitet në masë” mund të jetë e shëmtuar, por ajo pasqyron thelbin e çështjes për sa i përket shëndetit të popullsisë: Gjatë një pandemie, shëndeti i më të privilegjuarve varet nga shëndeti i më pak të privilegjuarve. Lufta kundër një virusi është domosdoshmërisht kolektive. Por problemi me kolektivizmin është se ai mund të ndrydhë lirinë individuale. Prandaj, krahas Hobbes, duhet lexuar edhe John Stuart Mill.
Mill do të argumentonte se këmbimi i lirisë personale për sigurinë gjatë një krize është i lejueshëm, por puna ndryshon nëse kjo bëhet një mënyrë e përhershme jetese, qoftë sepse agjencitë qeveritare luftojnë për t’i ruajtur këto fuqi, ose më keq akoma, sepse ne jemi mësuar kolektivisht që të humbasim liritë tona. Shteti sipas Hobbes funksionon mirë në ruajtjen e jetës së njeriut në aspektin fizik, por ai shtyp lirinë dhe krijimtarinë (në vitin 1683, Universiteti i Oksfordit, ku kishte studiuar Hobbes, i dogji të gjitha librat e tij, përfshirë “Leviatanin”, që ndodheshin në Bibliotekën Bodleian).
Përparësia e Perëndimit ndaj Kinës – djegësit modernë të librave (ose bllokuesi i faqeve të internetit) – qëndron pikërisht në lirinë dhe sipërmarrjet e lira që nxit kjo liri.
Por kjo përparësi vlen vetëm nëse zbatohet edhe ana tjetër “efikase” e liberalizmit të Mill-it – ajo që përçmon privilegjin dhe korrupsionin. Pasi përkrahu fillimisht idenë e shtetit si “rojtar nate”, pra një shtet minimalist që ndërhyn sa më pak të jetë e mundur, Mill i zbuti idetë e tij me kalimin e kohës. Ç’dobi kishte liria nëse nuk kishe arsimim ose kujdes shëndetësor?
Shteti duhej të ndihmonte për të mundësuar shkolla, spitale dhe burime të tjera themelore që u duhen qytetarëve për të shijuar lirinë e tyre. Kështu, shteti ideal i Mill-it u kthye nga rojtar nate në një dado, por pikënisja e tij mbeti zgjerimi i lirisë individuale. Zbatimi i ideve të Mill-it sot do të çonte në një valë reformash si ato të William Gladstone, duke e bërë një shtet njëkohësisht më të vogël dhe efikas, duke e vënë atë në shërbim të atyre që kanë vërtet nevojë për subvencione dhe duke qenë vazhdimisht i vetëdijshëm për rreziqet e kolektivizmit. Kjo përfshin heqjen e privilegjeve dhe rregullave që janë rritur rreth institucioneve perëndimore, si një dredhkë rrotull një peme. Klasa politike perëndimore, veçanërisht në formën e saj transnacionale, i ngjason gjithnjë e më tepër Korrupsionit të Vjetër që denonconin liberalët e shekullit XIX, me zyrat luksoze, përjashtimet nga taksat dhe privilegjet pa fund.
Shkatërrimi krijues
Sekreti i suksesit të Perëndimit gjatë 400 viteve të fundit qëndron në etjen e tij për shkatërrim krijues: pikërisht atëherë kur gjithçka duket e pashpresë, ai arrin të ripërtërihet vetë. Kjo është pa dyshim e vërtetë për Britaninë, që ishte atdheu i shumë prej mendimtarëve që kemi lavdëruar në këtë artikull. Kur Mill kishte arritur moshën e tretë, Britania ishte bërë tashmë e njohur për shërbimin e saj civil efikas me zyrtarë të rekrutuar në bazë të meritës dhe Gladstone mburrej se “kursente dyllin e qiririt dhe djathin në shërbim të kauzës së vendit”.
SHBA gjithashtu ka arritur ta ripërtërijë veten vazhdimisht.
Në epokën progresive, Theodore Roosevelt vuri në shënjestër monopolet e mëdha, duke liruar ekonominë, ndërsa të tjerët luftuan korrupsionin politik, krijuan një lëvizje efikase dhe ndërtuan institucionet shtetërore. Në fillim të shekullit XX, J. P. Morgan duhej të shpëtonte vendin nga katastrofa financiare sepse nuk kishte një bankë qendrore. Më 1913, Woodrow Wilson themeloi Rezervën Federale.
Franklin D. Roosevelt krijoi një sistem kombëtar të mirëqenies sociale në një kohë rekord në mesin e viteve 1930 dhe disa vjet më vonë riparoi rrjetin e gjerë industrial për prodhimin e armëve të luftës. Lyndon Johnson nisi një program ambicioz për luftimin e varfërisë në mesin e viteve 1960. Ronald Reagan dhe Bill Clinton ndërmorën reforma në lidhje me taksimin dhe mirëqenien sociale.
Nuk ka dyshim se Perëndimi po përballet me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, jo vetëm për shkak të dëmtimit që po shkakton COVID-19, por edhe sepse kjo krizë përkon me dobësimin e fuqisë së Amerikës dhe forcimin e Kinës. Pyetja e madhe gjeopolitike me të cilën përballet bota është nëse Perëndimi do të mund të ngrihet dhe të përballojë sfidën, siç ka bërë edhe shumë herë në të kaluarën dhe të rimendojë teorinë dhe praktikën e qeverisjes – apo nëse do të fundoset, duke e lënë Kinën të marrë sërish në dorë udhëheqjen globale si në kohët e vjetra kur një tutor i vjetër i frikësuar nisi të shkruante “Leviatanin”.