Nga Leart Kola
Jemi mësuar që 1 Majin ta “festojmë” si një datë të punëtorëve, natyrisht imagjinata që na imponon kjo datë janë fabrikat dhe kolektivi, me pak fjalë puna e lodhshme fizike, por a është vetëm ky punëtori i sotëm?
Në kërkimin e kryer me Institutin e Studimeve Sociale dhe Humane (ISSH) mbi analizën statusit të punëtorëve në Shqipëri, na rezulton që 60% e shqiptarëve janë të vetëpunësuar sipas të dhënave të Bankës Botërore. Për ta bërë më të qartë nga analizat krahasimore të realizuara nga instituti, rezulton që numri i të vetëpunësuarve në Shqipëri është dy deri tre herë më i lartë në krahasim me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut (21.8%), Serbia (28.3%) dhe Kroacia (12.4%).
Statistikat e përgjithshme në rang botëror tregojnë parimisht se në vendet me ekonomi më të zhvilluar niveli i vetëpunësimit është më i ulët, ndërsa në ato me ekonomi në zhvillim hasim nivel më të lartë të vetëpunësimit.
Për të vazhduar me idenë e krahasimeve që e bën më të lehtë përshkrimin e situatës, mund të themi që në vendet e zhvilluara të kontinentit të Evropës, numri i të vetëpunësuarve nuk arrin më shumë se 12-15% ndërsa ekonomitë në zhvillim të Afrikës e kanë mbi 70%.
Ofrimi i rrogave të larta, modele të avancuara të sigurimit shëndetësor dhe pensioneve, standarde të larta të mbrojtjes në punë, shkurtimi i orarit të punës nën tetë orë në ditë janë vetëm disa prej arsyeve pse në ekonomitë e avancuara kanë një punësim me pagesë gjithmonë mbi 84% ndërkohë që në Shqipëri kjo shifër është 35.6%.
Ky dallim i madh me ekonomitë e zhvilluara nuk është adresuar asnjëherë si problem në Shqipëri, përkundrazi, nga qeverië e djathta në të shkuarën dhe e “majtë” tani, konsiderohet gjithmonë si sukses rritja e numrit të bizneseve të hapura, apo dhe rritja e të vetëpunësuarve, duke keqdrejtuar kështu opinionin publik, kur të dhënat tregojnë që të vetëpunësuarit në krahasim me të punësuarit me rrogë, janë në masë më të madhe të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë, të ardhurave të pasigurta prej cikleve ekonomike si dhe ngeljes jashtë skemave të sigurimit shëndetësor dhe shoqëror. Rreth 20% e të vetëpunësuarve në Shqipëri nuk paguajnë kontributet shoqërore që vjen si efekt i nivelit të ulët i të ardhurave.
Vetëpunësimi nuk është ajo që mundohen politikanët të na servirin si një mundësi lirie dhe përfitimi indivual, të jesh “bosi” i vetes, përkundrazi është një histori kryesisht skamje dhe shfrytëzimi pasiv i antarëve të familjes, grave dhe vajzave në rastet më të shpeshta. Duhet mbajtur parasysh që në masën më të madhe të vetëpunësuarit janë marketet e vogla poshtë pallateve, kafeteritë e lagjeve aty ku shumica juaj bën pazarin e shpejtë, dhe që në çdo orë të ditës, keni të njëjtin njëri që të shërben, ose atë ose gruan, djalin apo vajzën e tij.
Nga analiza e të dhënave rreth tendencës së angazhimit si anëtarë të familjes pa pagesë del që dallimi mes burrave dhe grave është i dyfishtë. Përderisa niveli total i anëtarëve kontribues të familjes që nuk marrin pagë përbën mbi një të tretën e numrit të përgjithshëm të punëtorëve, gjasat për t’u angazhuar në një aktivitet të tillë janë 51.9% për gratë, ndërsa 25.9% për burrat.
Këto të dhëna tregojnë që proletariat shqiptar, nuk ndodhet vetëm në miniera, fasoneri apo biznese prodhuese, ku shfrytëzimi është çnjerëzor, siç e kemi parë me rastin e Samir Manes, dhe minierave të Bulqizës, apo në mijra fasoneri të shpërndara në gërmadhat e ish-ndërtesave socialiste, të cilat u ndërtuan me punë kolektive për t’u privatizuar me afera personale.
Në konkluzion “industria” shqiptare sot është ajo e kateve të para të pallateve. Me taksat e tyre mbahet qeveria (mjafton të shikoni humbjet në buxhet nga vetëm një muaj mospagesa të taksave të ambjentit apo të hapësirës publike për kioskat e baret) për të parë së cilët realisht janë “taksapaguesit” e mëdhenj që e mbajnë ekonominë gjallë, dhe tek cilët shkojnë më pas këto “taksa”.
Warren Buffett, miliarderi amerikan thotë: “jam dakort që po jetojmë në një luftë klasash, por është klasa ime, klasa e të pasurve, që po e bën këtë luftë, dhe ne po e fitojmë”. E ata po fitojnë çdo ditë, jo vetëm në 1 Maj. /DITA