Nga Ben Andoni
Gjëja që e ka tollovitur realisht publikun në këto ditë pandemie është se përveç lajmeve ogurzeza dhe tejet të shpeshta për koronavirusin, shoqëruar edhe me masat drastike tejet të luhatshme, i shtohet edhe përfshirja e profesionistëve të ndryshëm, lidhur apo jo me mjekësinë, me këshillat, deklaratat dhe rëndom anatemat e tyre. Përveç tyre, marrin pjesë në debat njerëz që nuk kanë as më të paktën kulturë minimale për të gjithë situatën dhe kritikojnë jo pak herë ata që ende në vetvete nuk kuptojnë se çfarë po ndodh dhe për çfarë flitet. Nëse në kohën e Covid-19, situata është gati akute dhe mendimet duhet të jenë sa më afër realitetit dhe të logjikuara shkencërisht, sa i përket problematikave të tjera, flitet nga kushdo. Kjo ndodh rëndom me pozitën, por që kuptohet se zëri kryesor mbetet i kryeministrit dhe vazhdon me Opozitën tonë, tashmë mbetur në pozicionin më të keq të mundshëm jashtë sistemit dhe vëmendjes. Në rastin e opozitës së sotme ka zëra realisht profesionale, paçka se këtyre u shtohen dhe shumë të tjerë që shtojnë tollovinë dhe as nuk lidhen me realitetin dhe kushtet tona. Kur dëgjon një sërë deputetesh dhe ish-deputetësh sot të parlamentit tonë të rritet shqetësimi dhe ankthi se ku jetojmë, por më tepër se cilët na përfaqësojnë. E ndërsa për fat, qysh pas tërmetit, zëri i profesionistëve si Luljeta Bozo dhe Shyqyri Aliaj, është bërë më i pranishëm, duket se po kaq e më shumë po bëhet zëri i mjekëve si Kalo, Bino, Pipero etj., që lidhen me pandeminë, duke na dhënë pak siguri. Veçse kanë mjaftuar lehtësirat dhe ata po fillojnë t’i shmangin për të risjellë në qendër të vëmendjes militantët dhe gjithologët. Duket se profesionistëve, kur pandemia të marrë udhën e fashitjes, do t’ua privojnë sërish mundësinë e shfaqjes publike apo të bëjnë shkrime ose të kenë kohë që të përshfaqin idetë e tyre në shërbimin e interesit publik. Të paktën në hullinë e tyre.
“Meqenëse nuk kam prodhuar kurrë ar, atëherë nuk do jem kurrë në gjendje të jap një përgjigje si duhet lidhur me këtë problem“, sqaronte dikur Umberto Eco në një diskurs, i pyetur për alkiminë. Por problemi ishte se në zejet e moçme të alkimisë, ai gjithsesi ishte futur “padashur” prej librave të tij. Dhe, mënyra sesi justifikohet ishte sërish e këndshme: Për ta bërë këtë “unë do të zhvendosem drejt një lloji tjetër të zjarrit, një tjetër tip alkimie të llojit artistik, ku zjarri shndërrohet në instrument të një gjenezë të re dhe artisti e vendos veten si imitues i perëndive”. Një martesë e bukur e mendimit me gjykimin, por e lidhur brenda kanoneve të profesionit të tij. Dhe, sërish këtë temë e elaboroi me sukses kur i kërkuan në SHBA, sesi e bënte që bashkonte editorialistin me punën e profesorit të katedrës. Këtë e bëjnë rëndom në Evropë, -u tha, por aman kur fusha e interesit përkon me atë të interesit publik. Ndërkohë që vërejtja ishte se kjo mund të thuhej në rastet e SHBA-së, ku kishte ndarje të qartë të profesorëve të universitetit dhe intelektualëve militantë.
Shqipëria nuk e ka një mundësi të këtillë në të gjitha rastet. Pasi është e pamundur, megjithë vërejtjet jo pak herë të drejta, që Opozita dhe Pozita të gjejë kanalin e duhur për të shpalosur ide përmes profesionistëve të saj. E para nga vetë militantizmi i frikshëm, që nuk i bën profesionistët politikanë të flasin pa doreza dhe në interesin publik pa pëlqimin e partive dhe e dyta nga pamundësia e kanaleve të transmetimit që tashmë i shtrëngon vetëm një burim. (Javanews)