Mjeku infeksionit Tritan Kalo tha për ABC News se virusi është ende i pranishëm në Shqipëri.
I pyetur nëse mund të kalojmë periudhën pandemike në muajin maj, prof. Kalo tha se është e rrezikshme të bëhen parashikime të tilla, kjo pasi nuk dihet fundi i saj por edhe fillimi i këtij virusi nuk është qartë i përcaktuar.
“Parashikime të tilla janë fatale po të bëhen, sepse e gjithë bota është përpara një infeksioni që nuk dihet kur e ka fundin, dihet kur e ka fillimin por edhe atë fillim nuk e ka qartë të përcaktuar, ka shumë abuzime në lidhje me fillimin e pandemisë. Tendenca që thuhet për përfundimin në fillim të majit dhe që bota po fillon të hapet, niset nga fakti se numri i të shtruarve, dhe të infektuarve kanë tendence pozitive në rënie çfarë dikton ekonominë të marrë frymë por mbi të gjitha të marrë frymë mendja njerëzore e cila e mbyllur në një paraburgim virusal e bën njeriun të ketë çrregullime psikologjike. Këto çrregullime tek ne janë të shtuara edhe nga ato që janë trashëguar nga tërmeti i 26 nëntorit”.
Në lidhje më protokollin trajtimit të pacientëve në spitalin Infektiv, prof. Kalo tha se janë duke u ndjekur protokolle të njëjta me ato që ka përdorur vendet e tjera si Kina, Koreja por sidomos Italia dhe Shtetet e Bashkuara.
“Protokollet janë të depozituara në Ministrinë e Shëndetësisë, në Task-Forcë, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive. Protokolli është hartuar mbi bazën e të dhënave në Kinë, Kore, sidomos mbi atë Italiane. Operohet me të sëmurët duke dhënë ato medikamente në përputhje me gjykimin e mjekut dhe situatës klinike, biologjike dhe skenografike, që paraqiten tek pacientë të ndryshëm. Jepen medikamente qe janë provuar si të efektshme edhe në vende të tjera, por duhet të kemi parasysh që nuk kemi një medikament specifik që vepron drejtpërdrejt mbi koronavirusin”.
Prof. Tritan Kalo iu përgjigj edhe pyetjeve qe kanë të bëjnë me deklaratat politike në lidhje me situatën pandemike në vend.
A janë dëgjuar nga politikanët, specialistët në Shqipëri në këtë rast?
Më shumë se herë tjetër. Të paktën për këtë situatë janë dëgjuar më shumë se herë tjetër.
Ka patur një propozim nga ish-ministri i shëndetësisë në lidhje me uljen e pagës së pensionistëve dhe administratës për të cilin keni reaguar ashpër edhe ju, doja t’ju pyesja a ju duket një zgjidhje kjo?
Unë dua ta përmbledh me një fjalë të vetme, Alogjizëm!
Ka patur akuzë nga opozita për fshehje të numrit të të prekurve nga infeksioni në Shqipëri, a mos duhet të vihej në zbatim testimi në masë i popullatës për patur shifra më konkrete më reale dhe mos të ketë dyshime se mund të manipulohen këto shifra?
Shifrat nuk mund të manipulohen kurrë, dhe kjo është e palogjikshme. Për sa i përket testimeve, numri në përqindje i testimeve varjon nga 9-12 %. Gjermania ka përqindjen më të lartë në botë për testimet. Testimi nuk është ai që zgjidh problemin. Kryesore është që së pari, të mos neglizhosh ata që kanë simptoma, së dyti, të gjithë personat e kontaktit dhe të atyre të kontaktit të dytë, që janë ata rrethorë-periferikë, por që hipotetikisht mund të kenë patur kontakte me kontaktin e personit të sëmurë. Po ta bësh si duhet këtë lloj shtrirje testimi, pozitiviteti do të kalojë në vlera më të larta. Kryesore është të testohet cilësisht dhe të mos neglizhohet asnjë vatër që shfaq këto shqetësime.
Në lidhje me shtimin e testimeve në vend mjeku Tritan Kalo deklaroi se do të ketë rritje të testimeve në vend por që zgjerimi i tyre varet nga 3 elementë siç janë; niveli i infektimit në vend, kapacitetet laboratorike dhe mundësia e sigurimit të kiteve.
“Jam në dijeni që do të ketë zgjerim të testimeve, të paktën me sa jam në dijeni. Grupet përcaktohen pak nga pak dhe zgjerimi i tyre bazohet në nivel infektimi, në kapacitete laboratorike, dhe në mundësitë e sigurimit të kiteve. Thelbësore në këtë situatë është ndërgjegjësimi i njerëzve. Kyçi i artë është tek përgjegjësia e qytetarëve”.