Një banor në 5 në New York, SHBA, rezulton i infektuar nga koronavirusi.
Është ky sugjerimi i një studimi të kryer nga Wardsworth Center në New York, lidhur me popullsinë e të gjithë shtetit, në bazë të kapacitetit të përhapjes së virusit në popullsi.
Sipas këtij studimi të cituar nga New York Times, së paku 14.9% e të gjithë popullsisë ka zhvilluar antitrupa kundër koronavirusit, një përqindje e cila shkon në 21% në qytetin e New York.
Lidhur me këtë studim ka folur edhe guvernatori Andrew Cuomo, i cili tha se, “Studiuesit u bazuan në një kampion prej 7.500 personash, në një popullsi prej 19.5 milionë banorë”.
Wardsworth Center ka përdorur kampionë gjaku, për identifikimin e antitrupave të llojit IgG dhe Departamenti i Shëndetësisë në New York, saktësoi se “Ky lloj antitrupi zhvillohet pas 3-4 javësh nga infektimi dhe janë jetëgjatë”.
Mirëpo dyshimet mbeten, pasi nuk ka mjaftueshëm studime shkencore që mund të garantojnë të dhëna më të sakta lidhur me efikasitetin dhe karakteristikat e antitrupave si pasojë e infeksionit të shkaktuar nga Sars-CoV-2.
E vetmja mënyrë për të pasur informacione më të detajuara, është zhvillimi i studimeve të reja, tek persona të prekur nga virusi të cilët rezultojnë negativ, pas një vale të dytë përhapjeje të virusit.
/a.r