Ndoshta ndryshe nga të gjithë popujt e tjerë, ne shqiptarëve na pëlqen të flasim jo rrallë herë për kozmosin dhe gjithçka që e përfshin. Kjo vjen ndoshta prej faktit se e kemi ndjerë gjithnjë të largët informacionin zyrtar që vjen për këtë fakt, si dhe pamundësisë për të pasur një agjensi të monitorimit të hapësirës.
Por për fat, ndodh që Shqipëria të jetë një vend që mes shumë turistëve të tërheqë për shkak të bukurisë dhe kulturës edhe persona që punojnë për agjensinë më të madhe hapësinore, NASA-n.
I tillë është edhe rasti i Robert Omar Reid II, një ish-inxhinier robotësh tek NASA, ndërsa sot punon tek burimet njerëzore tek agjensia hapësinore amerikane. I diplomuar në Qendrën e Kërkimeve të NASA-s në Klivlend, ai zgjodhi të vizitojë Shqipërinë këtë fundjavë, dhe për një arsye të mirë dhe të veçantë: është i dashuruar me muzikën dhe kulturën shqiptare.
Jo vetëm kaq por në këtë intervistë ekskluzive për MAD TV ai rrëfen shoqërinë dhe punën që e lidh me shqiptarët. Por ndër të tjera ai tregon edhe projektet e NASA-s në hapësirë si dhe pyetjeve të famshme: a ekzistojnë alienët dhe a ka jetë në Mars?
INTERVISTA E PLOTË
Zoti Robert, pse zgjodhët të vinit në Shqipëri?
Zgjodha të vij në Shqipëri sepse nuk kisha ardhur kurrë më parë dhe mbi të gjitha jam një fans i cmendur i muzikës shqiptare.
Vërtetë? Nga ka lindur ky pasion për muzikën shqiptare?
Sepse më pëlqen melodia, miksimi dhe vecanërisht muzika juaj popullore.
I dëgjon shpesh në ShBA?
Po pasi kam pasur një shok shqiptar, dhe ngadalë u mësova të dëgjoj rap shqiptar. Kështu zbulova reperët e Kosovës dhe aty me lindi kurioziteti se cfarë muzike tjetër shqiptare ka. Dhe të preferuarit e mi janë Elisabeta Marku dhe Flori Mumajesi.
Na vjen mirë që muzika shqiptare dëgjohet edhe përtej oqeanit. Dalim tek ajo që ka më tepër interes, cfarë pune bëni?
Punoj për NASA-n. Më parë kam qenë inxhinier robotësh ndërsa tani jam zhvendosur tek Burimet Njerëzore. Si përfundove i punësuar tek NASA? Kur e nisa në fillim ishte si praktikë pranë kësaj kompanie gjigande, teksa isha duke përfunduar edhe studimet për inxhinieri. Më pas jeta mori një ndryshim total. Mu ofrua të punoj si inxhinier tek NASA për ca kohë. Ndërsa më vonë, një zonjë më ofroi mundësinë që të zhvendosem tek Burimet Njerëzore të cilën e pranova me kënaqësi.
Si është të punosh për NASA-n?
Ështe një nder i madh në fakt. Një punë gjithnjë interesante ku ti je gjithmonë nën shoqërinë e njerëzve më inteligjentë. NASA është një agjensi e njohur botërisht. Domethënë sapo thua NASA të gjithë e dinë për cfarë po flas.
Sa e vështirë është të punosh për NASA-n? Ka rregulla të forta që nuk duhen shkelur?
Kjo është edhe gjëja më interesante e të punuarit për NASA. Normalisht që ka rregulla por për aq kohë sa punon ka edhe fleksibilitet. Për shembull në punë duhet të jemi kur të duam, por përpara orës 10 të mëngjesit. Dhe nga ai moment ti llogarit 8 orët e punës, pra është fleksibël. Është në dorën tënde të përcaktosh se kur do të vish që të dish kur të ikësh, pra kur mbaron orari yt i punës. Prandaj them që është mjaft fleksibël nëse ke familje dhe të duhet të lëvizësh. Ndaj e dua si punë, pasi unë jam një person që më pëlqen të udhëtoj dhe puna nuk më ndalon.
Kohët e fundit po dëgjojmë dhe lexojmë mjaft lajme që thuhet se vijnë nga NASA. Një nga këta është edhe një artikull ku thuhet se një burim nga NASA ka dhënë alarmin se nga data 15 nëntor dhe deri në 30 nëntor, bota do të zhytet në errësirë. Ti ai një person i brendshëm i agjensisë më të madhe hapësinore mund të na e konfirmosh?
Tani të jemi realist, Dielli nuk mund të fiket papritur për 15 ditë dhe më pas të rikthehet sërish drita aq e nevojshme për jetën. Ky besoj është nga ata versione konspirativë, por që nuk ka asgjë të vërtetë shkencore brenda tij.
Kohët e fundit NASA ka konfirmuar zyrtarisht se në Mars ka ujë, të paktën poshtë sipërfaqes së ngrirë. Por ajo që duan të gjithë njerëzit të dëgjojnë është, ka apo jo jetë në planetin e kuq?
Zbulimi i ujit në Mars duhet thënë se ishte një arritje historike e shkencës dhe e NASA-s. Ne besojmë se poshtë sipërfaqes së ngrirë të Marsit ka jetë. Bëhet fjalë për mikrogjallesa të cilat janë përshtatur ambientit aty. Por vetë fakti i zbulimit të ujit na ka entuziazmuar, pasi kjo do të thotë se nëse aty mund të jetojnë gjallesa mikroskopike, së shpejti Marsi mund të jetë i jetueshëm. Nuk përjashtohet edhe fakti që në këtë planet të ketë pasur jetë më para, por që për arsye të ndryshimeve klimaterike, është zhdukur.
Pra mund të themi që Marsi është shtëpia jonë e radhës?
Patjetër, kjo është pak por e sigurtë.
Tani të gjithë do të duam të shkojmë në Mars. Dhe për këtë fakt, NASA ka hapur aplikimet pë rata vullnetarë që duan të marrin pjesë në ekspeditën e parë njerëzore në planetin e kuq. Këto aplikime në fakt do të hapen nga 16 Nëntori deri më 16 Shkurt të 2016.
Po në fakt po përgatitet një program i tillë. Por kjo kërkon ende punë pasi ka shumë faza selektimi të aplikantëve. Dhe në fakt në NASA po punohet më së shumti jo vetëm për dërgimin e njerëzve të parë në Mars por edhe të rikthimit të tyre sërish në Tokë.
Çfarë duhet të bëj që të aplikoj në NASA?
Së pari duhet të jesh qytetar amerikan. Dhe së dyti të kesh pununar me kompani dhe agjensi të njohura dhe kontraktuara nga NASA.
A ka shqiptarë që punojnë për NASA-n?
Në fakt ka qenë një shqiptar, Klodi Kodra quhej. Ai kishte lindur në Nju Xhersi por me origjinë shqiptare. Ai merrej me internetin e NASA-s dhe në fakt e kam njohur dhe kam punuar për një farë kohe me të. Por fatkeqësisht ai zgjodhi të mos qëndrojë më në Klivlend port ë rikthehet në Nju Xhersi.
Si është të punosh me shqiptarët?
Është mjaft bukur, besoj sit ë punosh me të gjithë kombësitë tek NASA. Besoj se është edhe një shqiptar tjetër që punon tek NASA por që nuk e njoh. Thjesht e di nga të dhënat që një person me mbiemër Koçi, që është mbiemër shqiptar dhe që punon për NASA-n.
A parashikon NASA të ndodhë ndonjë katastrofë së shpejti në Tokë? Ndonjë meteor apo kometë që do të përplaset me planetin tonë?
Jo jot ë rrimë të qetë. Asgjë e tillë nuk parashikohet. Do të thoja se kemi problemet tona që na prekin çdo ditë si ngrohja globale apo edhe shterimi i përditshëm i rezervave të ndryshme natyrore. Këto janë problemet që ka Toka sot më shumë se meteorët apo kometat. Dhe në NASA po studiohen mënyra të tjera të dërgimit tonë në hapësirë pa prekur lëndët djegëse që janë në sasi gjithnjë e më të pakta në Tokë.
Sa herë që themi NASA mendojmë shumë gjëra që na vijnë në mendje. Një ndër ta janë edhe alienët. Na e thuaj ekzistojnë apo jo?
Në fakt kjo pyetje është më tepër mbi bazën e perceptimit dhe besimit personal. Unë besoj se alienët ekzistojnë sepse Universi është i pafundëm. Ja teoria ime mbi alienët. Unë besoj se Toka është origjina e jetës në të gjithë Galaksinë. Ne jemi këtu porn ë të kaluarën njerëzimi mund të ketë njohur një zhvillim të pabesueshëm aq sa disa nga ne janë larguar për të eksploruar universin. Dhe tani duan të rikthehen. Sepse për cilën arsye do të donin të vinin në Tokë? Ka shumë planete të tjera. Ok ne kemi jetën, por çfarë i tërheq ato të vijnë në Tokë nëse nuk do të ishte për vendin e tyre të origjinës.
Kështu në ngjyrë jeshile dhe disqe fluturues duhet të jenë?
Varet se nga vijnë dhe zhvillimi teknologjik që kanë. Nëse janë jeshilë do të thotë se oksigjeni nuk është gazi i tyre jetësor. Nëse janë të vegjël do të thotë se atmosfera e planetit nga vijnë është e rënduar, ndërsa nëse janë të mëdhenj, atëherë atmosfera e atij planeti do të thotë se është e lehtë.
A ka NASA ndonjë projekt që të vijë dhe të vizitojë Shqipërinë? A ka ndonjë gjë që për NASA-n ja vlen të vish në vendin tonë?
Jo deri më tani jo nuk ka asnjë projekt. Ne kemi Departamentin Amerikan të Shtetit këtu. Kemi gjithashtu ambasadën tonë në Shqipëri. Besoj janë të mjaftueshme, nuk ju duhet NASA.