Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, është shprehur sot se në qershor plazhet në Shqipëri do të jenë të hapura. Minxhozi foli për situatën në Shqipëri ka thënë se, tani edhe ata që janë pranë detit nuk po lahen.
“Ne jemi me fat që ka rënë shkalla e agresivitetit të koronavirusit. Shqipëria ka qenë në një fazë më të hershme. Do të jetë shumë e rëndësishme që të kemi situatë stabile edhe në Kosovë edhe në Shqipëri në mënyrë që të shkojmë drejt plazheve. Por, duhet të jemi të kujdesshëm. Qarkullimi rrugor është i pandërperë për mallrat, por për njerëzit do të duhet më tepër kohë, ndoshta më tepër se dy javë. Ajo që është e rëndësishme është se po merren masat pasi do të jetë një sezon krejtësisht ndryshe”, ka thënë Minxhozi në një intervistë për KTV.
Më tej ai tha se nuk pritet që të ketë turizëm ndërkombëtar, e thekson se humbjet janë të mëdha për shkak të Covid-19. “Gjithë bota do të ndryshojë pas Covid-19. Po u arrit 30-40 për qind të të ardhurave të vitit të kaluar do të ishim shumë të kënaqur. Në këto kushte mendojmë që të organizojmë më mirë turizmin brenda për brenda vetes. Njerëzit do të pushojnë brenda, e ne do të zhvillojmë edhe turizmin e vogël, atë familjar. Fluksi i vitit të kaluar është i pamundur të arrihet”, ka thënë ai.
Megjithatë, Minxhozi thekson se më i rëndësishëm është shëndeti publik, porse është optimist se qershori do të jetë me plazhe të hapura. “Përpara turizmit kemi shëndetin e njerëzve, në asnjë mënyrë s’mund të bëjmë gabime sepse mund të ketë pasoja të parikthyeshme. Është shumë shumë e rëndësishme që të mos dëmtohet sektori i shëndetësisë. Ne duhet të mendojmë se jemi një familje e përbashkët dhe duhet të bëjmë hapa të kujdesshëm. Kur flasim për kufijtë duhet të kemi parasysh cila është shkalla e rikuperimit dhe cili është shkalla e koronavirusit. Aty ku jemi të sigurt aty do të hapim kufijtë. Mendoj se qershori do të jetë një muaj plazhi për të gjithë ne”, ka thënë Minxhozi.