Hapen për tre javë shkollat, vetëm për maturantët të cilët duhet të përgatiten për provimet.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini, në një komunikim publik të mbrëmjes së sotme, bëri me dije se provimet e maturës do të mbahen nga datat 8 dhe 18 qershor 2020, gjë që jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për ata që duan të studiojnë jashtë.
“Hapim shkollat vetëm për nxënësit e klasave të 12-ta për një periudhë tre javore nga data 18 maj deri 5 qershor, vetëm për maturën me plan programe të reja. Provimet e klasës 5-të dhe 9-ta do të anulohen. Notat e provimit të lirimit të klasës së nëntë, do të nxirren duke llogaritur notat e viteve”, u shpreh Shahini.
Ministrja bëri me dije se procesi mësimor do të vijojë online dhe do të mbyllet në 29 maj, ndërsa përfundimet do të dalin me përllogaritjen e notave vjetore.