Qeveria ka miratuar dy vendime, të cilat i hapin rrugë dhënies së ndihmës ekonomike në situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 dy kategorive: punonjësve të padeklaruar, të cilët janë në kufijtë e mbijetesës dhe naftëtarëve të uzinës së Ballshit.
Çdo familje e cila ka aplikuar në skemën e ndihmës ekonomike që prej Korrikut të 2019-s deri në Prill të këtij viti, por është refuzuar, do të marrë shumën 16 mijë lekë të rinj.
Kjo incentivë jepet për kategorinë të cilët më parë mund të kenë patur një punë informale dhe të ardhurat që merrnin nuk i klasifikonin si përfitues të asistencës sociale, ndërsa pas përhapjes së pandemisë shumë qytetarë që kanë humbur punën, përfshirë dhe ata të padeklaruar, janë në situatë të vështirë financiare.
Do të jenë drejtoritë e Shërbimit Social Shtetëror që do të dërgojnë listat e aplikuesve të përzgjedhur në bashkitë përkatëse, ndërsa njësitë vendore do të lajmërojnë përfituesit për mënyrën se si do tërhiqet pagesa.
Naftëtarët e Uzinës së Ballshit do të marrin ndihmë financiare prej 40 mijë lekësh. Përfitues do të jenë të gjithë ata që figurojnë në listëpagesat e Dhjetorit të vitit të shkuar dhe personat me pagë bruto nën 100 mijë lekë. Vendimi është botuar në fletoren zyrtare dhe është menjëherë i zbatueshëm, duke i hapur rrugë procesit të derdhjes së pagave.
Në total fatura financiare në buxhetin e shtetit nga kjo paketë kap vlerën e 2.3 milion dollarëve, ku përfitues janë afërsisht 800 naftëtarë të Ballshit dhe mbi 12 mijë familje që nuk kanë përfituar ndihmën ekonomike.
/a.r