Nga ARTUR AJAZI
Atyre që u “qan zemra” çdo ditë për popull, dhe atyre që u “dhimbset fakir fukarai” dhe u “pikon shpirti për hallexhinjtë”, u bëj thirrje të nxjerrin milionat, të marrin të paktën 2-3 lidhje nga thesi i madh me miliona euro që kanë, dhe të ndihmojnë.
Të japin shembullin se si “dilet nga kriza, si ndihmohen hallexhinjtë e pastrehë, e pabukë dhe të papunë”, pastaj le ta shajnë gjithë ditën qeverinë. Le të shpenzojnë 2-3 muaj qera vilash apo biznesesh, për tu ardhur në ndihmë atyre që sot janë në çadra dhe të papunë, apo dhe atyre që nuk “mbushin barkun me bukë për faj të qeverisë”, dhe pastaj le të ngrenë akuza dhe denoncime.
Por nuk e bëjnë, nuk u bën zemra të nxjerrin nga thesi dhe xhepat e tyre asnjë “dyshkë” dhe jo pastaj 2-3 lidhje me prerje 50 mijëshe. Ata nuk kanë si të shpenzojnë para për “hallexhinjtë” sepse paratë u duhen për luksin dhe qejfet e tyre, sepse paratë e “fituara me djersë” sa ishin në pushtet dhe që bëjnë xhiron e botës në banka, u duhen për lobimet, protestat, votimet dhe fushatat elektorale.
Nxirrini milionat se do tu myken në dyshekë, jorganë dhe bodrume, dhe ndihmoni , të paktën ata që ju kanë votuar, paçka se mund të jenë të pakët. Por ama mos flisni për “tendera , PPP-ra, për harxhime luksi, shpenzime dhe zhvatje milionash” kur dihet nga gjithë dynjaja këtu dhe jashtë vendit, se nuk jeni as “fukarenj” dhe as nuk jetoni me “rrogën e partisë”.
Nxirrini milionat që keni (dhe mos u përbetoni se jeni si gjithë të tjerët) dhe ndihmoni sikur 10 apo 20 familje të ushqehen dhe të gjejnë strehë, sepse do tu japin urime, e ndoshta nuk do të merrni ndëshkime aq të rrepta nga Zoti. Keni 6 muaj, qysh pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, që thërrisni dhe drejtoni gishtin nga qeveria, ministrat, kryeministri, deputetët, kryetarët e bashkive, dhe dreqi me të birin, duke akuzuar dhe denoncuar në hava dhe pa asnjë bazë për “vjedhje fondesh, vjedhje batanijesh, çadrash, qesesh me ndihma, makaronash, për maska të skaduara, për ilaçe të fallcifikuara”, duke mbetur peng të mashtrimeve banale dhe shpresës për të rimarrë vota.
Nxirrini milionat dhe mos loboni, nxirrini dhe ndihmoni të paktën “hallexhinjtë tuaj”, ata që ju vijnë akoma mbrapa si ogiçë, dhe mbajnë shpresën se “do të vini një ditë në pushtet dhe do ti shpërbleni”. Nxirrini milionat dhe tregoni se jeni të njerëzishëm, tregoni se jeni bujarë, se jeni më të mirë nga Rama dhe qeveria e tij. Por nuk e bëni dot ju një gjë të tillë, sepse ju dhimbset paraja e “fituar me djersë”, sepse kërkoni të talleni dhe të luani me hallet e shqiptarëve, sepse akoma i dini njerëzit se janë dele dhe miza.
Ju akoma mbani shpresë, se shqiptarët kanë harruar si mbushnit thasët me para tenderash, me milionat e PPP-ve tuaja, dhe se si fironin fondet e investimeve sapo hidhej betoni i parë në rrugë apo bypas-se, apo se si u merrej paraja me presione biznesmenëve për fushata elektorale.
Nxirrini milionat o sheikë, nxirrini e jepini fund telenovelave me “ndershmëri, seriozitet, korrektësi, aftësi, moral të pastër ” dhe të tjera budalliqe si këto, sepse është viti 2020, dhe jo 1996, e piramidave të Sudes dhe Xhaferrit.