Kosova po i humb pronat e ndërmarrjeve që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sipas tyre, këto prona nuk po mbrohen nga autoritetet kompetente.
Hasan Abazi, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një prononcim për Radion e Evropa e Lirë, thotë se edhe pse informacione zyrtare mungojnë për gjendjen e aseteve në shtetet e rajonit, informacionet tregojnë se disa nga pronat tashmë janë privatizuar, apo shfrytëzohen nga persona të shteteve tjera.
Në shtetet e ish-Jugosllavisë, sipas dokumenteve zyrtare gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore. Autoritetet kompetente në Prishtinë disa herë kanë njoftuar se do të kërkojnë kthimin e tyre.
Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një përgjigje përmes postës elektronike, kanë thënë se janë duke u angazhuar në këtë drejtim, përmes vizitave dhe bisedimeve direkte me shtetet fqinje.