Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut po u kërkon qeverive të botës të respektojnë të drejtat e njeriut gjatë pandemisë COVID-19.
Michelle Bachelet tha në një deklaratë të hënën se të drejtat e njeriut nuk duhet të shkelen “nën maskën e masave të jashtëzakonshme ose urgjente”.
Zonja Bachelet tha se fuqitë e urgjencës “duhet të përdoren për t’u përballur në mënyrë efektive me pandeminë – asgjë më shumë, asgjë më pak” dhe se “nuk duhet të jetë një armë që qeveritë mund të përdorin për të shtypur mendimin ndryshe, për të kontrolluar popullatën dhe madje edhe për të përjetësuar qëndrimin e tyre në pushtet.”
Zyra e komisioneres së lartë ka nxjerrë udhëzime të reja politike mbi masat emergjente sepse ajo tha, “Ka pasur raporte të shumta nga rajone të ndryshme se policia dhe forcat e tjera të sigurisë kanë përdorur me forcën me tepri, dhe herë pas here forcë vdekjeprurëse, për t’i bërë njerëzit të respektojnë ndalimqarkullimet“.
“Parimi i qëndrueshëm,” tha Bachelet, është që masat e urgjencës duhet të “zbatohen njerëzishëm“. Ajo shtoi se nëse nuk veprohet në bazë të ligjeve, “urgjenca e shëndetit publik rrezikon të bëhet një fatkeqësi e të drejtave të njeriut, me efekte negative që do të tejkalojnë shumë vetë pandeminë“.
“Goditja me armë, ndalimi ose abuzimi i dikujt për thyerjen e një shtetrrethimi sepse ata kërkojnë dëshpërimisht ushqim është qartë një përgjigje e papranueshme dhe e paligjshme,” tha zonja Bachelet.
Pothuajse të gjitha vendet në botë janë nën një lloj bllokimi kufizues në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Gati tre milion njerëz në mbarë botën janë infektuar nga virusi, sipas Qendrës së Universitetit Johns Hopkins për koronavirusin. Më shumë se 206,000 njerëz kanë vdekur.