Lezha u trondit nga një ngjarje e rëndë mesditën e sotme pasi dy burra rreth 60 vjeç u gjetën të pajetë në një fshat.
Viktimat janë Prengë Simoni dhe Kolë Murrani (rapsodi i njohur i zonës), për të cilët policia dyshon se janë vrarë me armë zjarri.
Trupat u gjetën në kodër nga djali i njërit prej viktimave, i cili lajmëroi menjëherë policinë.
Thuhet se të dy viktimat kishin dalë së bashku që në mëngjes nga banesat e tyre dhe nuk ishin kthyer më. “Top Channel” mëson se njëri prej viktimave ishte i masakruar.
Ndërkohë, thuhet se fshati Lalm i Vjetër, zonë e thellë kodrinore është krehur disa herë nga policia për shkak të kultivimit të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni lidhur me ngjarjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për të përcaktuar shkakun e rrethanat e ngjarjes.