Mjeku shqiptar Genc Kapxhiu, i cili ndodhet në vijën e parë kundër COVID-19 në urgjencën e spitalit të Arezzos në Itali ka dhuruar mbi 1000 maska për kolegët e tij shqiptarë.
Në një intervistë televizive, mjeku thotë se gjithçka ka nisur nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe në pamundësi për t’i sjellë fondet e mbledhura nga një koncert bamirësie në kohë, ata kanë menduar që në këtë situatë më mirë të dhuronin maska sepse janë më të nevojshme.
“Në këtë situatë të vështirë siç e kemi kaluar edhe ne mjekët në Itali menduam të dhuronim këto maska për kolegët tanë në spitalin Infektiv në Tiranë. Në bashkëpunim me “Lions Club Arezzo” ne jemi munduar që të ndihmojmë. Nuk e di se sa mund të zgjasë kjo pandemi por këto maska mund të duhen gjithmonë”, shprehet Genc Kapxhiu.
Mjeku ka bërë gjithashtu apel për kujdes shumë të madh kundër këtij virusi. Ai ka thënë se duhet të marrim shembull nga rasti i shtetit italian dhe të zbatojmë të gjitha masat e nevojshme.
“Ky virus është i padukshëm dhe rikthimi në jetën normale duhet të jetë në mënyrë graduale. Gjërat që duhen duhet të hapen nga pak dhe me kujdes mjaft të madh sepse kjo epidemi do vazhdoj dhe do jetë shumë e vështirë të zhduket”, theksoi mjeku.
Për sa i përket situatës në Itali ai ka shpjeguar edhe pse së fundmi ka pasur ulje graduale të viktimave situata duhet trajtuar me kujdes sepse ka akoma viktima. Sipas informacioneve që ai ka nga epidemiologët italianë thuhet se hapja atje duhet bërë pak më me vonesë sepse akoma nuk është bërë izolimi i plotë i të gjithë personave të infektuar.