Kjo fazë e liri-daljes së qytetarëve ka parashikuar edhe një vendim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që kanë apikuar për karta apo pasaporta biometrike. Sipas zëvendësministres Rovena Voda, fasha orare për tërheqjen e dokumenteve biometrike nga sot bëhet nga 08:00 dhe në 16:00.
Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, përmes një video-mesazhi ka njoftuar se mënyra e tërheqjes është përmes mesazhit. Qytetari pasi merr sms duhet të shkojë në zyrë të tërheqë dokumentin e identifikimit. Voda tha se duke menaxhuar këtë fazë me kujdes, kalojmë te faza tjetër për aplikim e ri-aplikime për dokumente biometrike.
“Kemi nisur shpërndarjen e pasaportave në të gjitha zyrat e shpërndarjes në Republikë. Ju lutem duhet të respektoni masat mbrojtëse sipas mesazhit që ju vjen në mesazh. Qytetarët duhet të shkojnë në zyra me maska dhe doreza. Fasha e orarit tashmë është 08:00 me 16:00. Nëse kjo fazë kalon me sukses, ne do të rinisim aplikimin për karta dhe pasaporta biometrike”,-tha Voda.
Me shpërthimin e pandemisë COVID-19 në Shqipëri, u pezullua puna në të gjitha sportelet e gjendjes civile dhe atyre të ALEAT. Me hapjen graduale që ka nisur tek bizneset, tashmë pritet edhe rinisja e punës për ofrimin e shërbimeve për qytetarët edhe në sportele.
g.kosovari