Vendimi i marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për zhbllokimin e sistemit të drejtësisë do të sjellë që brenda kësaj jave të fillojnë seancat për zyrtarët e lartë. KLGJ ka bërë me dije përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare se fillimisht do të mbahen gjyqet më të ngutshme, ndërsa më tej edhe ata që janë pezulluar për momentin.
“Prioritet kryesor i veprimtarisë së gjykatave do të vazhdojnë të jenë çështjet me natyrë të ngutshme. Ato do të kryejnë edhe çdo aktivitet tjetër gjyqësor që nuk kufizohet nga fusha e veprimit të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, si dhe që është i mundur të kryhet në kushtet e kufizimeve të vendosura për popullatën në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid-19”, thuhet në njoftim.
Por me zhbllokimin e gjyqësorit, dy zyrtarët e lartë që do të dalin këtë javë para togave të zeza janë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Për ish-ministrin e Brendshëm ishte caktuar seanca gjyqësore në datën 9 prill, Gjykata e Posaçme e Apelit e shtyu gjyqin për në datën 28 prill. Seanca në fjalë do të jetë dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Vlorës, Jaed Çela.
Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “Trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Por brenda kësaj jave do të dalë para gjykatës edhe kreu demokrat Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë. Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua më 13 janar vendosi pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha, ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi. Kështu dy vite hetime nga Prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazer Sallaku i cilësoi të pavlefshme duke rrëzuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë.
Me një vendim të tillë, prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelonte, e ndërsa Apeli i Tiranës vendosi ta shtynte seancën, duke e caktuar në datën 30 prill në orën 10. Por në proces hetimi janë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është i akuzuar për aferën me CEZ dhe ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla i cili është nën akuzë për fshehje pasurie, shkruan “Sot”.