“Këtë vit barra financiare e projektuar në 1 janar për të gjithë vitin ka rënë”.
Kështu deklaroi deputeti socialist Ilir Beqaj duke iu përgjigjur akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha i cili në vijim ka kërkuar anulimin e koncesioneve.
Beqaj ironizoi duke e cilësuar kreun e PD si ‘turist holandez’ i cili nuk është gati të bëjë as opozitë.
Deklaratat erdhën në studion e emisionit “Java në RTSH” ku në panelin me analistin Lorenc Vangjeli, Beqaj tha se kontratat e Chek-up, e rrugës Milot-Balldren apo e Orikum janë ngrirë.
Duke u ndalur te pandemia, Beqaj u shpreh se paratë e koncesioneve nuk do të shpenzohen përderisa situatat është e bllokuar. Ai shtoi se pandemia ngjall frikë për aq kohë sa është e panjohur, por kjo nuk duhet t’i nënshtrojë njerëzit përballë panikut.
“Po të shohim Italinë apo Francën ku politika është përplasur, reagimi ka qenë i vonuar. Britania e Madhe ka tre vite me BREXIT, ndërsa në SHBA jeta e amerikanëve është bërë shumë më partizane nën drejtimin e Trump. Ndryshe ka ndodhur në Gjermani ku politika është bërë bashkë kundër koronavirusi. Unë mendoj se edhe në Shqipëri politika duhet të jetë sa më e unifikuar në këtë situatë. Pra ky duhet të jetë edhe mesazhi politik në këtë periudhë; Bashkimi” – tha deputeti socialist.
Beqaj u shpreh se vendet do ta kuptojnë vetëm pas një viti nëse kanë vepruar me efikasitet. Ai shtoi se biznesi në vend u tregua i paduruar duke i kërkuar mbështetje financiare qeverisë që në ditën e tretë të shpalljes së emergjencës.
Për më tepër ndiqni intervistën e plotë: