Teksa Ministeriali i Mbrojtjes ishte parashikuar që të zhvendosej pas shumë dekadash nga Brukseli, në Tiranë për periudhat 17-18 qershor, duket se situata për shkak të pandemisë së koronavirusit ka prishur axhendën.
Lajmi konfirmohet zyrtarisht për ‘News24’ nga Piers Cazalet, i cili është drejtori i Medias në selinë e NATO-s dhe zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Cazalet në emër të Aleancës u përgjigj përmes komunikimit ke e-mail se Ministeriali nuk do zhvillohet nga rrethanat dhe se takimi do të zhvillohet përmes një video-konference. Mes të tjerash ai theksoi se gjithçka do të konfirmohet në një moment të dytë.
“Pritet që takimi të zhvillohet me video konferencë si takimi që zhvilluam në mes të prillit. Sidoqoftë ne mirëpresim ofertën e Shqipërisë për të pritur një samit tjetër në një moment tjetër. Do ta konfirmojmë këtë në një tjetër moment”, përgjigjet zyrtarisht drejtori i medias në NATO për News24.
Më herët në muajin shkurt ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s miratuan në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut në Bruksel propozimin e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që Ministeriali i Mbrojtjes, në 17 dhe 18 Qershor të këtij viti të mbahej në Tiranë. Por mesa duket Aleanca e mirëpret takimin e radhës në Shqipëri pasi të kalojë kriza COVID-19.