Gjatë një vizite në Korçë, ambasadori francez në Shqipëri, Bernard Fitoussi tha se Shqipëria nuk do të jetë një vend tranzit për refugjatët sirianë. Ambasadori theksoi se ka shumë pak gjasa që Shqipëria të kthehet në një vend pritës për refugjatët.
“Tani, mes Europës dhe vendeve nga kalojnë emigrantët kanë filluar bisedimet për gjetjen e mundësive të kalimit të tyre, por edhe të qëndrimit qoftë dhe tranzit në këto vende ballkanike. Pasi vendet ballkanike janë në rrugën që kalojnë refugjatët politikë. Por, nëse emigrantët kalojnë nga Shqipëria, do të ketë bisedime konkrete edhe me këtë vend, por tani për tani akoma nuk është marrë asnjë vendim. Më duhet të them se Greqia dhe Maqedonia e kanë bërë shumë mirë punën e solidaritetit deri në këto momente me emigrantët”, u shpreh Fitoussi.
Kur u pyet nëse Shqipëria do të jetë një prej vendeve pritëse, ambasadori dha këtë përgjigje:
“Nëse emigrantët do të kërkojnë të kalojnë nga jugu nëpërmjet Shqipërisë, ndoshta do të bëhet, por për momentin nuk flitet për Shqipërinë si vend pritës”.
Këto deklarata Fitoussi i ka bërë nga Korça, pas një ceremonie në përkujtim të 640 ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore në këtë qytet.