Një vaksinë eksperimentale Covid-19 ka rezultuar se mbron majmunët nga prekja prej infeksionit, sipas një raporti të parishikuar zyrtarisht. Vaksina e re tani ka hyrë në prova klinike në Kinë për të provuar ilaçin te njerëzit.
Megjithëse studimi i kafshëve, i postuar më 19 prill në bazën e të dhënave paraprake bioRxiv, nuk ka qenë subjekt i rishikimit zyrtar, shkencëtarët e postuan në “Twitter” për të ndarë përshtypjet e tyre të para.
“Pra, kjo është e dhëna e parë paraklinike ‘serioze’ që kam parë për një kandidat aktual të vaksinave”, shkroi Florian Krammer, profesor në Departamentin e Mikrobiologjisë në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai.
Përpara testimit te njerëzit e shëndetshëm, vaksinat i nënshtrohen të ashtuquajturave teste paraklinike te kafshët. Vaksina eksperimentale, e zhvilluar nga ndërmarrja me bazë në Pekin, Sinovac Biotech, tregoi rezultate premtuese në majmunët makakë rezus, para se të nisë testi te njeriu, vuri në dukje Krammer.
Në studimet klinike, doza të ndryshme të vaksinës do t’u jepen 144 individëve për të përcaktuar nëse është e sigurt, pra do të shihet nëse nuk shkakton efekte anësore të rrezikshme, sipas ClinicalTrials.gov. Vaksina më pas do të kalojë në prova të efikasitetit me më shumë se 1000 njerëz shtesë për të përcaktuar nëse ajo shkakton një reagim të duhur imunitar, i tha revistës “Science” Meng Weining, drejtori i vjetër i “Sinovac” për punët rregullatore jashtë shtetit.
g.kosovari