Presidenti Ilir Meta ka sqaruar përse mbështeti ndryshimet në Kodin Penal për personat që nuk i binden urdhrave dhe rregullave gjatë situatës së koronavirusit.
Në një shkrim publik, kreu i shteti tha se ndryshimet ishin një reflektim ligjor ndaj një të papriture, që surprizoi e tronditi globin në çdo pikëpamje.
Duke u bazuar tek pyetja e shkrimtarit Lubonja, Meta u shpreh se ndan të njëjtin shqetësim për tronditjen e shtetit ligjor dhe në këtë situatë është më e rëndësishme të kemi legjislacion solid se boshllëk ligjor.
Shkrimi i plotë i Presidentit
Meqënëse z.Fatos Lubonja sot ka bërë disa pyetje për juristët e Presidentit të Republikës, preferoj t’i përgjigjem drejtpërdrejt në respekt të kontributeve të Tij të spikatura prej dekadash në mbrojtje të demokracisë dhe interesit publik. Ndryshimet e detyruara të Kodit Penal për pandeminë, ishin një reflektim ligjor ndaj një të papriture, që surprizoi e tronditi globin në çdo pikëpamje.
Realiteti pozitiv është që ndryshimet e bëra janë të një standardi të njëjtë me legjislacionet më të mira demokratike. Ngjashmëria me Danimarkën është shteruese, qoftë për garancinë juridike, ashtu edhe për proporcionalitetin dhe ky është lajm i mirë për këdo.
Por edhe dyshimi beninj i Lubonjës është i natyrshëm dhe i motivuar. Ky dyshim lidhet qartë me zbatimin e drejtë dhe korrekt të legjislacionit, që do të thotë në esencë funksionim i shtetit ligjor.
Ndajmë të njëjtat dyshime e shqetësime të forta me Lubonjën për tronditjen e shtetit ligjor në Shqipëri, si një sfidë madhore që kërkon përgjigje.
Në këtë situatë, më mirë të kemi një legjislacion sa më solid, të qartë dhe garantues të parimeve të sigurisë juridike dhe proporcionalitetit sipas Kodit Penal të Danimarkës, sesa të kemi një boshllëk ligjor që mbushet vetëm me abuzivizëm dhe arbitraritet apo më keq se sa të kishim ndryshime jashtë çdo standardi demokratik që cënonin të drejtat e qytetarëve tane duke i ekspozuar ndaj abuzivizmit dhe represionit.
/a.r