Burgu 313 në Tiranë është kthyer në një vatër të re të Covid19, ku kanë rezultuar pozitivë 14 persona të tjerë, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë marrë të tjerë tamponë dhe është bërë dezinfektimi.burgu
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pas identifikimit të të burgosurit italian me Covid-19, janë testuar 30 të dënuar të tjerë që kanë pasur kontakt më të brenda burgut. Burime thanë se në IEVP janë krijuar ambiente të veçuara për të burgosurit e infektuar, në mënyrë që të menaxhohet situata dhe është duke u bërë një hetim epidemiologjik, megjithëse ende nuk dihet se si Covid-19 ka depërtuar në institucion.
Disa javë më parë, një punonjës i këtij institucioni u konfirmua pozitiv, ndërsa në deklaratën zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për rastin, u tha se ky punonjës nuk kishte pasur asnjë kontakt. Punonjësi, sipas Drejtorisë së Burgjeve, nuk ka pasur simptoma, por ka kryer analizat, pasi familjarët e tij kishin shfaqur simptoma.
“Vetëm pas shenjave që kanë shfaqur familjarët e tij, ai ka kryer një vizitë më të specializuar nga mjekët epidemiolog dhe pas kryerjes së tamponit përkatës në Spitalin Infektiv sipas protokolleve shëndetësore, ka rezultuar pozitiv së bashku me bashkëshorten dhe djalin”, shkruhet në njoftimin Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve disa ditë më parë.
Duke parë numrat e të infektuarve, disa ditë pas rastit të parë, duket se virusi ka qarkulluar dhe në persona të tjerë. Takimet me familjarët dhe të njohurit u ndaluan si masë kundër përhapjes së Covid-19 në mesin e marsit, ndërsa takimet me avokatët e prokurorët vazhduan. Një tjetër mundësi për qarkullimin e virusit është dhe personeli që punon në IEVP e që ka pasur kontakte me persona jashtë.
MASAT E IEVP
Gjatë ditës së djeshme, gjatë orëve të paradites dhe më vonë, në Burgun 313 kanë qenë punonjës të ISHP që kanë marrë tamponë të tjerë. Burime thanë se janë krijuar ambiente të veçuara që do të përdoren si izolim.
Ndërkohë, në hyrje të IEVP është vendosur një njoftim ku bëhet e ditur se institucioni do të pajisë me maska dhe dorashka vetëm punonjësit, ndërsa persona të tjerë, si avokatë, oficerë të Policisë Gjyqësore dhe prokurorë, që do të duhet të shkojnë për arsye pune, nuk do të lejohen pa masat mbrojtëse.
Në momentin që personeli i ISHP ishte në ambientet e IEVP, forca speciale ishin aty gjithashtu për menaxhimin e situatës, në kushtet kur mund të kishte reagime edhe nga të burgosurit. Disa ditë më parë, në media sociale qarkulloi një video nga burgu, ku dukej një revoltë e personave që vuajnë dënimin.
MASAT KUNDËR PËRHAPJES SË COVID-19
Më herët, Ministria e Drejtësisë ka propozuar dhe marrë disa masa për shmangien e përhapjes së Covid-19 në burgje. Me anë të një akti normativ, një pjesë e të burgosurve u dërguan në shtëpi për disa kohë, ndërsa janë pezulluar takimet, që zhvillohen tashmë me videokonferenca.
Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm duke iu përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masave kundër përhapjes së koronavirusit në burgje, nxori një udhëzim ku u sugjeroi prokurorive që në caktimin e masave, të kenë parasysh që në rast se ligji e parashikon, të kërkohen masa që garantojnë sigurinë e të arrestuarit dhe të hetuarit.
Në leximin e konkluzioneve përfundimtare, të kërkojnë masa dënimi alternative, si dhe në rastet e dënimeve me vendim të formës së prerë, të shikohet mundësia e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit. /