Nga Ilir Beqaj
Po bëhen 4 muaj që e gjithë bota është e mbërthyer nën ankthin, panikun, pasigurinë dhe paditurinë në përballjen me pandeminë më të madhe të kohëve moderne të shkaktuar kësaj radhe nga sëmundja COVID – 19.
Është shpejt për të bërë bilance, pse, sa, si, kush më mirë e kush më keq, kush më shpejt e kush më ngadalë. Do të normalizohemi kur të jemi prekur 60 -70 % të gjithëve prej nesh.
Përsa më sipër duket se të gjithë jemi njësoj. Por, në këta 4 muaj dëmet janë të ndryshme. Qoftë të drejtpërdrejta, qoftë të tërthorta.
Pse? Çfarë duhet të ketë ndodhur që pasojat janë kaq të larmishme?
Le të shohim disa zona të Europës që janë toponime gjeopolitike, Beneluks, Nordik, Vishegrad, Baltik. Do të analizojmë këto zona, si dhe vendet brenda çdo zone. Analiza përqëndrohet vetëm në tre tregues, raste pozitive për 1 milion banorë, vdekje për 1 milion banorë dhe Case Fatality Rate. Siç edhe do të shihni ilustrimet grafike, zonat janë të ndryshme nga njëra tjetrat, por edhe brenda të njëjtës zonë vendet janë të ndryshme.
Beneluks (Hollandë, Belgjikë, Luksemburg)
Nordik (Suedi, Norvegji, Danimarkë)
Një tërheqje vëmendje këtu. Shihni si është Suedia krahasuar me vendet fqinjë të saj dhe gjykoni vetë për qasjen liberale të qeverisë suedeze.
Vishegrad (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki)
Baltik (Estoni, Lituani, Letoni)
Eksperienca e këtyre katër muajve ka një të vërtetë të përbashkët e cila mesa duket do të jetë universale (enkas janë përfshirë në analizën ilustruese 14 vende).
Metrika aktuale e vlerësimit krahasimor të sistemeve të kujdesit shëndetësor, të përparësive apo dobësive të modeleve të ndryshme, të parakushteve pozitive apo negative, nuk na vlejtën këtë herë.
As GDP për banor, as shpenzimet e shëndetësisë ndaj GDP, as modeli i financimit, as demografia, as trashëgimia imunologjike, as profili epidemiologjik, as centralizimi dhe as deceantralizimi, as privat e as publik, as i detyrueshëm e as vullnetar, as shtretër për mijë banorë, as respiratorë për mijë banorë, as sa teste bëmë apo nuk bëmë, as mjekë për mijë banorë, as infermierë për mijë banorë, as mjekësia në territor dhe as ekselenca në spitale.
Duket sheshit që kështu nuk shkon. Këtu duhet të shtrydhim mendjen se pse nuk na mjafton kjo metrikë. Dhe ndërtimi i metrikës së re nuk duhet të jetë qëllim në vetvehte. Këtu mund të kuptojmë se çfarë duhet të ndryshojmë.
Megjithatë në katër muaj ata që kanë bërë më mirë se të tjerët kanë dicka të përbashkët. Kanë përdorur më me efektivitet të dhënat. Por edhe në një mënyre të re.
Në kontekstin klasik, sidomos në shëndetësi, deri më tani të dhënat i kemi përdorur për statistikë. Si pjesë të qasjes tashmë së vjetëruar të trajtimit të sëmundjes. Këtë herë u dhanë sinjalet e para të përdorimit të të dhënave për të ruajtur shëndetin, për të parandaluar apo diagnostikuar sa më hershëm. Qoftë në mënyrë individuale si në Singapor duke gjurmuar çdo individ, qoftë në mënyrë makro si në Islandë duke zbuluar nga të dhënat e marra nga 10 % e popullsisë së vendit se janë 48 mutacione të SARS- CoV-2 dhe se gjysma e njerëzve e bartin virusin pa shfaqur simptoma.
Nëse mund të shprehem ndryshe, kësaj here u kalua nga statistika në data science. Edhe falë fuqisë të kompjuterave super të shpejtë, internetit me bazë të gjerë dhe disponimit të smartphonëve nga shumica dërmuese e popullsisë.
Po bëhet gjithnjë e më evidente se ardhmja do të jetë më shumë dhe kryesisht INFORMACION. Edhe sasior, edhe cilësor.