Presidenti Ilir Meta tha se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj mazhorancës, ndërsa komentoi zhvillimet e fundit në vend.
I ftuar në emisionin “Çim Peka Live”, Kreu i Shtetit u shpreh se qeveria i kishte kërkuar bashkëpunim Presidentit për ndryshimet në Kodin Penal, por theksoi se nuk ka ndryshuar qëndrim se largimi i opozitës nga parlamenti ishte një akt i gabuar dhe se maxhoranca kishte përgjegjësi në largimin e tyre.
“Nuk ka qëndrim të dyfishtë. Nuk kam ndryshuar asnjë presje në qëndrimin tim që largimi i opozitës nga parlamenti ishte një akt jashtëzakonisht i gabuar dhe me pasoja të rënda për sistemin tonë. Një nga përgjegjësitë që opozita iku ishte e maxhorancës që vrapoi për t’i zëvendësuar me shpejtësi dhe sot kemi këtë parlament.
Qeveria ndërmerr një iniciativë për ndryshime në Kodin Penal që u cilësuan nga opinioni publik si mjaft shqetësuese. Edhe unë shpreha shqetësimin tim. Ndërkohë, Qeveria kërkon bashkëpunim me Presidentin në këtë situatë, me idenë që kjo situatë nuk është e parashikuar për këto probleme në Kodin Penal dhe kemi një boshllëk që duam ta mbushim. Presidenti kishte dy rrugë: Ti thoshte bëni çfarë të doni, unë do ta rrëzoj kur të vijë koha dhe ju do ta miratoni prap, dhe kishte dhe rrugën tjetër, për deri sa kërkoni bashkëpunim dhe Presidenti është i gatshëm të bashkëpunojë sipas kushteve më të mira.
Presidenti lexoi shqetësimet e organizatave për të drejtat e njeriut, ne këto i bëmë publike, ja dërguam qeverisë dhe parlamentit që nuk mund të dënohet një njeri me 15 vite, duhet të ketë një dënim proporcional, nuk mund të dënohet kushdo etj., gjithçka është bërë në mënyrën më të mirë, sipas praktikave më të mira.
Dhe përderisa mazhoranca iu përgjigj pozitivisht këtyre ndryshimeve, përse të mos e mbështes? Këtu nuk ka ndodhur asgjë veç se Presidenti ka bërë detyrën e tij“, tha Meta.
g.kosovari