Nga Mero Baze
Kundërshtarët e Albin Kurtit, po e ndjellin atë drejt dhunës dhe mosdorëzimit paqësor të pushtetit, me gjithë mënyrat e mundshme. Pasi qeveria e tij është rrëzuar në Kuvend dhe partneri i tij kryesor në ish- qeverinë VV-LDK po merr mandatin për kryeministër, gjithë fokusi është tek mënyra se si Kurti do ta përballojë dorëzimin e pushtetit.
Prozhektorët po fokusohen gjithnjë e më shumë tek detaje që po i paraqesin si “përgatitje për luftë”, që nga heqja e rrethimit të ndërtesës së Qeverisë, tek deklarata ambige e tij për mos dorëzim pushteti, duke theksuar se është kryeministër deri në zgjedhje etj, etj.
Plus kësaj, si ilustrim është gati detashmenti trushplarë i militantëve të pangjashëm të “Vetëvendosjes”, që u japin argumenta për dhunë, kujtdo në çdo moment.
Por gjëja më joshëse për ta tërhequr Albin Kurtin në dhunë, është krijimi i një perceptimi sikur pala tjetër e ka frikë dhunën. Pra në një farë mënyre, dhunën e pritshme të Albin Kurtit, po e paraqesin dhe si fuqi, dhe si forcë të tij, biles dhe si triumf të mundshëm të tij. Kjo është shumë perverse si gjetje.
Përfytyroni tani që ish- komandantët që kanë parti politike, po bëjnë sikur “ndjehen” dhe të frikësuar nga Albini. Gjithë qëllimi është që ta trimërojnë të sulmojë i pari. Se në histori të tilla të dhunës politike, ashtu si në Shqipërinë e 1997, humbet ai që sulmon i pari.
Në të vërtetë, dhuna jo vetëm që nuk ëhstë fuqi, por është pika më e dobët e atij që e ushtron. Dhe këtë e dinë të gjithë ata, që Albin Kurtin po e vizatojnë si njeriun që tani do ta mbajë pushtetin me dhunë.
Mos dorëzimi i pushtetit , mosbindja ndaj votimit në Kuvend, dhe akoma më keq, rezistenca e dhunshme për të bllokuar ndryshimin e pushtetit, është e vetmja armë e fortë dhe nga të paktat që kanë akoma në duar kundërshtarët e Albin Kurtit, kundër tij.
Albin Kurti deri më sot e ka ende perceptimin si njeri i fuqishëm, se po viktimizohet.
Albin Kurti e ka ende sharmin e një lideri me të ardhme, pasi po paraqitet si viktimë e një koalicioni të establishmentit të vjetër.
Albin Kurti ka ende mbështetje, pasi shumë mbështetës të tij, por dhe më gjerë, nuk e pranojnë dot që ai të mos provohet as 100 ditë në pushtet.
I gjithë perceptimi se Albin Kurti ka të drejtë, vjen nga perceptimi i tij si viktimë.
Dhe nëse kundërshtarët e tij, ja arrijnë ta kthejnë nga viktimë, në agresor, ata në të vërtetë kanë fituar një betejë të madhe, me një kundërshtar të rrezikshëm.
Shumë vetë, dhe unë mes tyre, mendojnë që Albin Kurti dhe ashtu, e zgjodhi vetë me zgjuarsi rrugën e viktimizimit. Ai e përllogariti se viktimizimi dhe mos qeverisja i japin atij shansin e njeriut që nuk e lënë të qeverisë, që e pengojnë dhe që për këtë shkak i duhen më shumë vota të qeveris vetëm.
Ai ka arritur tu mbushë mendjen shumë vetëve dhe të bëhet popullor, jo si kryeministër që qeveris mirë, por si kryeministër që nuk e lënë të qeveris.
E sigurtë është, se si viktimë është ende i gjallë dhe me shpresa për rikthim, por si agresor do të jetë përjetësisht i vdekur.
Tashmë nëse kundërshtarët e tij e kthejnë nga viktimë në agresor, me çfarëdo mjeti, qoftë dhe duke i mbushur mendjen që është i fortë, atëhere ose kundërshtarët e tij janë vërtet gjeni në këtë strategji, ose Albin Kurti do të hyjë në histori si një copë budallai, që dhe viktimë qenka bërë rastësisht dhe ne e kemi mitizuar kot.
Albin Kurti megjithse i “trafhetuar”politikisht kurre nuk duhet te bjer ne kurthin e mos dhanies se pushtetit ne menyre demokratike.Ma mire ne opozite se sa te qendroje ne pushtet me kokfortesi.Ne zgjedhjet e ardhshme ne se ban nje opozite konstruktive pushtetin e merr me shumicen e vet