Ndersa shtetet ecin përpara me planet për të rihapur ekonomitë e tyre, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëroi se një valë e dytë e koronavirusit do të jetë shumë më e keqe, sepse ka të ngjarë të përkojë me fillimin e sezonit të gripit.
Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, u bëri thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë muajt e ardhshëm për t’u përgatitur dhe për t’u vaksinuar kundër gripit.
“Ekziston mundësia që sulmi i virusit mbi vendin tonë, dimrin e ardhshëm, të jetë edhe më i rëndë se ai që sapo kaluam”, tha Redfield në një intervistë për gazetën Washington Post.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave me koronavirus: mbi 800,000, përkatësisht mbi 45,000.
Miliarda njerëz në mbarë botën janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi gjatë muajve të fundit, pasi qeveritë po përpiqen ta frenojnë përhapjen e virusit ngjitës.
g.kosovari