Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka komentuar nismën e qeverisë për amnistinë fiskale, pra legalizimin e të gjitha parave të përfituara pa paguar taksat.
Në një intervistë për News 24, Balla tha se nga kjo nismë janë të përjashtuar deputetë, ministra, gjyqtarë apo policë, ndërsa e ka cilësuar si një domosdoshmëri për situatën e krijuar në deficitin ekonomik të vendit për shkak të COVID-19.
Balla shprehet se paketa fiskale do të miratohet me shumicë të cilësuar në Kuvend për të garantuar të gjithë qytetarët që kanë punuar me punë të ndershme dhe që duan të bëhen pjesë e amnistisë.
“Paketa, ose nisma e shpallur dje nga kryeministri është një instrument shumë i rëndësishëm sa i përket forcimit të ekonomisë me kapitale që sot janë të fshehura. Flasim për amnisti fiskale dhe penale. Ne do ta miratojmë këtë amnisti me një shumicë të cilësuar votash në Kuvend për ti dhënë garanci të gjithë atyre personave që me punë të ndershme, në emigracion, bujqësi mund ta përfitojnë.
Plot vende kanë bërë masa të tilla. Amnistia fiskale është një domosdoshmëri, por në situatën e krijuar në deficitin ekonomik të vendit për shkak të COVID-19, sepse kujtoj që buxheti i shtetit është afektuar ose do të afektohet me disa qindra miliona euro për shkak të kësaj situate. Të gjithë deputetët, ministrat, policët, gjyqtarë nuk mund të bëhen pjesë e amnistisë”, tha Balla.
g.kosovari