Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për shpërndarjen e paketës së dytë ekonomike, për të cilën nisin aplikimet ditën e sotme, duke e cilësuar si një premtim bosh të qeverisë.
Në një komunikim live për qytetarët, Basha tha: “Sot duhej të shpërndahej paketa e dytë e ndihmës, por edhe ky ishte vetëm një premtim tjetër bosh. Qytetarët që tani ju duhet të paguajnë faturat e rritura të dritave e ujit, janë ende sot pa asnjë të ardhur. Bizneset po mbyllin mijëra vende pune sepse nuk kanë asnjë mbështetje. Masat që janë marrë në ndihmë të njerëzve dhe ekipeve shëndetësore janë të vonuara dhe të pamjaftueshme”.
Kryedemokrati theksoi se shqiptarët kanë paguar taksa nga më të lartat nën qeverisjen Rama dhe sot duhet të shkojnë në ndihmë të tyre.
“Njerëzit nuk kërkojnë lëmoshë — në këto kohë emergjence kombëtare atyre iu takon të marrin ndihmën financiare nga buxheti i shtetit!
Paratë janë. Por Rama zgjedh që ato të shkojne për tendera korruptivë dhe koncesione, dhe jo për qytetarët. Qytetarët duhet të marrin menjëherë ndihmën financiare që ju takon!”, shtoi Basha.
Sipas Bashës, koha nuk pret sepse sa më shumë vonohen këto masa dhe mbështetja financiare për qytetarët dhe bizneset, aq më shumë thellohet kriza dhe papunësia.
“Bizneset duhet të mbështeten që të mos falimentojnë dhe të largojnë njerëzit nga puna! Ekonomia duhet të ndihmohet me të gjitha mënyrat që të mos bjerë në humnerë! Duhet të rriten urgjentisht testimet si garancia e vetme për të ecur përpara të sigurtë!”, tha kryetari i PD.
g.kosovari