Neurokirurgu Arsen Seferi, ka folur në “ABC e mëngjesit” për situatën e koronavirusit. Shumë shtete u gjenden të papërgatitura përballë COVID-19. Neurokirurgu është ndalur edhe te situata e vështirë në të cilën u gjend Italia, si një prej vendeve tashmë të goditura shumë rëndë.
“Në sistemin shëndetësor tashmë do të investohet ndryshe nga sa është investuar. Demokratizimi i qeverisjes së shërbimeve shëndetësore vuri në pah solidarizimin e shteteve. Duhet bërë një përgatitje globale e sistemeve shëndetësore, përveç aktivitetit të përditshëm”, tha Seferi.
Gjithashtu ai u shpreh se përqindja e pacientëve që kanë humbur jetë në spitale është shumë më e ulët se pacientët që kanë humbur jetën në azile.
“Fakt është që numri i pacientë që u paraqitën në qendra shëndetësore ka qenë shumë i lartë. Kjo periudhë zgjati pasi një numër i caktuar pacientësh për një periudhë të caktuar kohe kishte një fluks të papërballueshëm”, theksoi neurokirurgu.
Sipas tij, situata në Shqipëri u monitorua herët nga Task-Forca.
“Masa më e rëndësishme në të gjithë botën është izolimi, në këtë mënyrë përhapja e sëmundjes ishte relativisht e përmbajtshme”, u shpreh ai.
A e sulmon COVID-19 sistemin nervor?
“Akoma nuk ka studime eventuale. Por, disa studime të bërë na Kinë në muajin janar që kanë dalë tani vonë dhe nga eksperienca e SARS, theksohet se kur virusi futet në tru shkakton dëmtime të sistemit nervor”, u përgjigj Seferi. /e.s/