Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme procedurën që duhet të ndjekin bizneset që do të hapen të hënën për të marrë leje në e-albania.
Shefi i kabinetit qeveritar ka bërë me dije se kjo leje merret vetëm njëherë dhe duhet të jetë i disponueshëm në mjedisin e biznesit në rast se do të kryhet një kontroll.
“Gati vërtetimi online në e-albania për të gjitha bizneset e miratuara për hapje nga ministria e shëndetësisë duke nisur nga java që vjen (20 – 26 prill). Ky vërtetim merret vetëm një herë!
Kujdes! Ky vërtetim duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli. Bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në e-albania sipas kategorisë përkatëse * nëse nuk keni një llogari ekzistuese të biznesit tuaj në e-albania, lutemi të kryeni hapjen e saj duke u identifikuar si Administrator me kredencialet tuaja.
Mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga ministria e shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale”, shkruan ndër të tjera Rama.
Rruga që duhet ndjekur për të regjistruar binzesin në e-albania
Klikoni butonin Regjistro një biznes.
Plotësoni të dhënat që Ju kërkohen.
Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.
Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.
Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-albania.
Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.