Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një lidhje direkte për emisionin “Kjo javë” në “News24” komentoi edhe ndryshimet në Kodin Penal, që përfshijnë ndëshkime për ata që thyejnë masat e vendosura në këto kohë izolimi për vendin. Ai tha se ndryshimet e Kodit Penal ndodhin një herë në dekadë, por në kushte të tilla, sipas tij për këto ndryshime u arrit një bashkëpunim politik dhe institucional.
Mes të tjerash ai tha se shpreson që tashmë këto ndryshime të gjejnë zbatim aq më tepër nga institucionet.
I pyetur për ndryshimet që janë bërë për Kodin Penal, Bushati u shpreh:
“Kodi Penal është nga ato ligje që amendohen, apo ndryshohen një herë në disa dekada. Në një kohë të zakonshme, i gjithë diskutimi në Kodin Penal apo Civil, duhet të jetë i kujdesshëm dhe procesi duhet të zhvillohet në konsultë. Por ne jemi në një situatë pandemie, të paprecedentë. Është për t’u theksuar se propozimet, u arrit një bashkëpunim politik dhe institucional. Ndaj është momenti që institucionet tona duhet të tregojnë kapacitet për të zbatuar kodin. Është me rëndësi që në këtë kontekst, që të kemi dhe aspektin edukativ të kësaj situate. Jo thjesht rregullat që publikoi Këshilli i Evropës, për mënyrën se si të sillen shtetet, kjo nuk bëhet vetëm me ligje dhe akte, por dhe përmes edukimit. Sot u bëmë dëshmitarë të ushtrimit apo të manifestimit të një qytetarie nga një brez i moshuar, që është rritur në diktaturë. Është detyra jonë që për brezin tjetër, të punojmë më tepër. Kemi të bëjmë me një krizë sanitare dhe jo me luftë. Duhet të kemi instrumentet e duhura. Duhet të sigurojmë siguri të plotë”.