Nga Mero Baze
“Devollët” u treguan më intelegjentë. Ata patën hetuar tek Albin Kurti atë që nuk e patën hetuar as militantët e tij dhe as të tjerët që besonin se Albini e kishte vërtet betejën me oligarkët.
Ata patën hetuar që Albini e ka pas me një prej bizneseve të tyre në medie, që ishte “Klan Kosova”. Dhe ja dhanë sinjalin e parë. Hoqën themeluesin e televizionit, ndërruan ekipin drejtues, dhe luajaliteti funksionoi. Njeriu i dytë më i rëndësishëm pas Albinit, Glauk Konjufca, ishte mysafir i parë në “Klan Kosova”.
Akujt u shkrinë. Intuita e “oligarkëve” duket se ishte më e mprehtë se e pjesës tjetër, që besonte betejën e Albinit me oligarkët.
Beteja e tij ishte me sa duket për shtypin e oligarkëve.
E njëjta gjë me bizneset e zotit Lluka. Ky është akuzuar nga “Vetëvendosja” dhe Kurti si donator i Haradinajt, i afërt me PDK dhe struktura të pushtetit, dhe ka qenë në shenjestër si një nga oligarkët.
Për fat, dje Albini ishte mysafir në zyrat e tij.
Si “Dukagjini” dhe “Devollët”, të cilët për Albinin ishin “shushunja të buxhetit të Kosovës, tani ngjajnë si “bletë” punëtore.
Si “Devollët”, ashtu dhe “Dukagjini”, janë dy prej grupeve më të mëdha të biznesit në Kosovë, që kanë në pronësi dhe medie. Janë ashtu siç ka thënë Albini, të lidhur me politika shtetërore në biznesin e tyre.
Pronarëve të “Dukagjinit” u kanë dalë telashe së fundmi me hetimin për liçensa hidrocentralesh dhe janë po ashtu të lakuar në shumë raporte ndërkombëtare për mënyrën jo transparente në privatizime në Kosovë.
Problemi nuk është tek ata si biznesmenë, por tek qasja që administratat shtetërore kanë ndaj tyre.
Albin Kurti premtoi një qasje të re ndaj tyre. Premtoi gati linçim të tyre dhe i ktheu në flamur beteje në fushatë elektorale.
Të gjithë këtë histeri elektorale kundër tyre, nëse e ridimensionon tani që “Vetëvendosja” është në pushtet, e shikon si të konvertuar vetëm në histeri ndaj shtypit kritik me ta.
Militantët e “Vetëvendosjes”, tashmë nuk kanë në qendër të sulmeve oligarkët, por mediet. Ata sulmojnë çdo gazetar, përfshi dhe ata që ishin mbështetësit më të mëdhenj në fushatën e tyre, si “Ekspress”-i, apo TV7, dhe çdo gazetar tjetër që shpreh rezerva për Vetëvendosjen. Ata vazhdojnë të linçojnë çdo portal, çdo gazetar të pavarur apo pozicionuar, boll që të nuhasin se nuk është idhull i Albin Kurtit.
Ky ridimensionim i tyre, nga një detashment politik “antioligark”, në një detashment fashistoid vetëm kundër medieve, tregon se problemi i tij nuk kanë qenë oligarkët, por mediet e tyre.
Nuk di kush e ka këshilluar para fushatës, që mund t’i kishte kundër këto medie kur të vinte në pushtet, por ka qenë këshilltar idiot. Mediet e mëdha, sidomos mediet e oligarkëve, nuk janë për të bërë opozitë, por për të qenë me pushtetin.
Kot është harxhuar që ka fol keq për ta dhe e ka vënë veten në siklet tani që i duhet t’i takojë nëpër korridore studiosh. Jo se mërziten “oligarkët”, po se do t’i duhet të fillojë nga e para këtë betejën kundër tyre në zgjedhjet e ardhshme dhe do duket qesharak.