Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar se në fillim të muajit maj do të nis lehtësimi i masave shtrënguese kundër koronavirusit.
“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit, të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski.
Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipce ka dhënë vlerësime pozitive për masat që janë ndërmarrë në luftën kundër koronavirusit, por që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen deri në kapërcimin e gjendjes së rëndë. Por, ai ka bërë të ditur se edhe pas lehtësimit të masave do të kërkohet kujdes maksimal dhe përgjegjësi nga secili prej qytetarëve.
Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, gjatë orëve të kaluara janë regjistruar 53 raste të reja me koronavirus, por për herë të parë nuk janë regjistruar viktima, që mbeten në shifrën e 49 të vdekur. Ndërkohë numri i të infektuar ka arritur në 1170.
Në Kumanovë, qytetin më të goditur janë regjistruar vetëm nëntë raste, që gjithashtu është numër i ulët në krahasim me ditët e kaluara. Qyteti me numrin më të madh të të infektuarve është Shkupi me 401 dhe pastaj Kumanova me 320 të infektuar.